SPAK paraqet propozime për përmirësimin e zbatimit të ligjit antimafia

Nga D V
605 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 korrik, Zhurnal.mk – Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho mori pjesë sot në tryezën e konsultimit të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, në kuadër të procesit të Kontrollit Post-Legjislativ (PLS).

Braho paraqiti të dhëna mbi zbatimin e ligjit antimafia, rezultatet e arritura, vështirësitë praktike të hasura gjatë hetimeve pasurore, si dhe propozime konkrete për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional.

Kreu i SPAK, u shpreh se nga ballafaqimi i kontributit të institucionit me draftraportin rezulton se 12 çështjet e ngritura nga Prokuroria e Posaçme janë reflektuar në dokument.

Sipas Brahos, ky është një rezultat pozitiv i procesit të konsultimit dhe tregon se përvoja e institucioneve që zbatojnë ligjin është marrë në konsideratë gjatë hartimit të raportit.

Braho bëri të ditur se propozimet dhe gjetjet e SPAK janë përqendruar në tre drejtime kryesore, duke nisur nga qartësimi i kuadrit ligjor, përfshirë çështje që lidhen me fushën e zbatimit të ligjit dhe rregullimin e veprimit të tij në kohë.

Një tjetër drejtim, sipas Brahos, lidhet me forcimin e garancive procedurale, veçanërisht për të drejtat e palëve të treta, të cilat sipas dispozitave ligjore mund t’u konfiskohet pasuria pa pasur dijeni dhe pa qenë të pranishme në seancë.

Braho theksoi se SPAK ka adresuar edhe pengesat praktike të hetimit pasuror, ku një prej problematikave është heqja e pagesave për marrjen e dokumentacionit.

“Kjo nuk ka të bëjë thjesht me një pagesë, por me mënyrën se si është konceptuar marrja e informacionit nga prokuroria, e cila është trajtuar përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave sikur të ishte një aplikim për kryerjen e ndryshimeve në statusin e pasurisë”, tha ai.

Braho vlerësoi se raporti ka integruar në mënyrë të gjerë kontributin e Prokurorisë së Posaçme, duke marrë në konsideratë çështjet e ngritura dhe, në disa raste, duke i zhvilluar më tej ato.

“Sfida mbetet që këto përcaktime të raportit të kthehen në dispozita ligjore të qarta dhe të zbatueshme. SPAK është i gatshëm që në vijim të këtij procesi të kontribuojë në konsultimin e drafteve të tjera ligjore që ne mendojmë se duhet të ndryshohen në këtë ligj”, deklaroi Braho.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër