Prishtinë, 6 gusht Zhurnal.mk – Insajderi merr vesh se Dukagjin Nikollaj, i njohur me nofkën “Duka”, tashmë u është dorëzuar autoriteteve kosovare pas arrestimit të tij në Spanjë dhe përfundimit të procedurave të ekstradimit.
Gazeta Insajderi mëson nga burime të sigurta brenda organeve të drejtësisë se Spanja ka ekstraduar drejt Kosovës të kërkuarin e shumtë nga drejtësia kosovare dhe ajo ndërkombëtare, Dukagjin Nikollaj, i njohur ndryshe me nofkën “Duka”.
Nikollaj, i cili për muaj të tërë i është shmangur prangave, është sjellë në Kosovë nën masa të rrepta sigurie pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore ndërmjet dy shteteve.
Emri i Dukagjin Nikollajt u rikthye fuqishëm në vëmendjen e opinionit publik në gusht të vitit 2023, pas përleshjes me armë zjarri në lokalin e njohur në qendër të Prishtinës, “Bon Vivant”.
Nga kjo përleshje tragjike mbeti i vrarë një person dhe u plagosën e u lënduan dhjetëra të tjerë. Nikollaj ishte përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin e armatosur dhe menjëherë pas përleshjes kishte arritur të arratisej nga vendngjarja, duke u bërë një nga personat më të kërkuar nga Policia e Kosovës.
Pas një operacioni të koordinuar ndërkombëtarisht, Nikollaj ishte lokalizuar dhe arrestuar në Spanjë.
Pavarësisht faktit se Spanja nuk e njeh formalisht pavarësinë e Kosovës, bashkëpunimi policor përmes kanaleve ndërkombëtare të sigurisë mundësoi që kërkesa për ekstradim të procedohej me sukses.
Sipas burimeve të Insajderit, “Duka” pritet të dalë së shpejti para gjykatës në Prishtinë për t’u përballur me akuzat që rëndojnë mbi të lidhur me rastin “Bon Vivant”, derisa tash po intervistohet në Polici.
Në të kaluarën, Dukagjin Nikollaj ishte një emër i njohur edhe për autoritetet amerikane.
Ai ishte shpallur në kërkim nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për dyshime lidhur me përfshirje në rrjete të krimit të organizuar dhe trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve amerikane, ai dyshohej se ishte pjesë e grupeve që organizonin transportimin e sasive të mëdha të drogës përmes kanaleve ndërkombëtare./Gazeta Insajderi
