Shkup, 7 gusht, Zhurnal.mk – Sindikatat e Pavarura të Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatikë të Maqedonisë me shqetësim konstatojnë se “po shfaqet një praktikë në të cilën Qeveria sistematikisht refuzon t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve dhe e kufizon qasjen në informacione me interes publik. E njëjta u përsërit edhe në ngjarjen e djeshme, në të cilën PR-i qeveritar u përgjigjej në mënyrë selektive në pyetjet e gazetarëve”.
“Detyrë e Qeverisë është të komunikojë në mënyrë transparente me publikun. Heshtja nuk guxon të jetë politikë, ndërsa pyetjet e gazetarëve nuk duhet të mbeten pa përgjigje. Në këtë mënyrë gazetarët nuk mund të marrin verifikim të informacionit që kërkojnë, ndërsa konferencat për shtyp nuk duhet të shndërrohen në monologë pa hapësirë për pyetje.
SSNM rikujton se shërbimi i PR-it të Qeverisë ka detyrim të qartë të përgjigjet në çdo pyetje të gazetarëve — pa të drejtë të interpretojë nëse pyetja “meriton” përgjigje apo jo. Vendimi se cilat pyetje janë relevante nuk është në kompetencë të shërbimeve komunikative të Qeverisë — kjo është në kompetencë të gazetarëve, mediave dhe publikut. Kjo praktikë nuk duhet të vazhdojë.
Gjithashtu, SSNM kërkon që përfaqësuesit qeveritarë të ngarkuar me komunikimin me mediat të komunikojnë me gazetarët me respekt dhe profesionalizëm.
SSNM kërkon që Qeveria urgjentisht të vendosë komunikim të rregullt dhe të hapur me mediat, të mundësojë qasje në informacione me interes publik dhe të respektojë standardet e lirisë së medias të garantuara me Kushtetutë”, thuhet në kumtesën e SSNM.
