Londër, 11 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri britanik, Keir Starmer premtoi sot se do ta vendoste Britaninë e Madhe në zemër të Evropës, në një fjalim që konsiderohet vendimtar për të ardhmen e tij politike, pas humbjes së rëndë të Partisë Laburiste në zgjedhjet lokale të së enjtes së kaluar.
“Kjo qeveri laburiste do të dallohet për vullnetin e saj për të rindërtuar marrëdhëniet me Evropën dhe për ta vendosur Britaninë e Madhe në zemër të Evropës, në mënyrë që të jemi më të fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht”, deklaroi ai, gati 10 vjet pas referendumit për Brexit.
Starmer tha se do të përcaktojë “një drejtim të ri” për vendin në samitin e ardhshëm mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, i cili pritet të mbahet në fund të qershorit ose në fillim të korrikut.
Ai deklaroi se Brexit e ka bërë BM “më të varfër” dhe “më të dobët”, në kundërshtim me premtimet e liderit të partisë antiemigracion ”Reform UK”, Nigel Farage.
Që nga rikthimi në pushtet në korrik 2024, laburistët kanë ndërmarrë disa hapa afrimi me BE-në, të nxitur edhe nga tensionet e fundit mes Londrës dhe Uashingtonit lidhur me luftën në Lindjen e Mesme.
Përpara zgjedhjeve lokale, qeveria kishte njoftuar përgatitjen e një legjislacioni që synon një “përshtatje dinamike” të standardeve britanike, veçanërisht atyre ushqimore, me standardet e BE-së, për të lehtësuar shkëmbimet tregtare.
Ky plan pritet të shpallet zyrtarisht të mërkurën nga Charles III gjatë fjalimit tradicional të mbretit në Parlament, ku prezantohet programi legjislativ për muajt në vijim.
Në kuadër të afrimit me BE-në, Starmer theksoi gjithashtu dëshirën për të propozuar “një program ambicioz për të rinjtë”, që sipas tij do t’u mundësojë atyre “një të ardhme më të mirë”.
Britania e Madhe dhe BE-ja synojnë të përmbyllin negociatat për një program mobiliteti për të rinjtë para samitit të ardhshëm.
Londra do t’i bashkohet në vitin 2027 programit evropian të shkëmbimeve universitare ”Erasmus”
