Stuhi të fuqishme godasin Zvicrën: Rrugë të përmbytura, fluturime të anuluara dhe qindra ndërhyrje të zjarrfikësve

Nga Xh M
825 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bern, 1 korrik Zhurnal.mk – Stuhi të fuqishme me reshje intensive shiu goditën Zvicrën të martën në mbrëmje dhe gjatë natës, duke shkaktuar përmbytje, anulime fluturimesh dhe probleme të mëdha në transportin rrugor e hekurudhor

Sipas SRF Meteo, gjatë stuhisë u regjistruan mbi 25 mijë vetëtima në mbarë vendin.

Në kantonin e Cyrihut, reshjet e dendura përmbytën rrugë, nënkalime dhe bodrume, ndërsa kanalizimet nuk arritën të përballonin sasinë e madhe të ujit. Vetëm mes orës 20:30 dhe 01:00, shërbimet e zjarrfikësve realizuan më shumë se 700 ndërhyrje, kryesisht në qytetin e Cyrihut dhe komunat Wallisellen, Dübendorf dhe Rafz.

Dhjetëra fluturime u anuluan

Stuhia shkaktoi kaos edhe në Aeroportin e Cyrihut. Mbi 30 avionë që po fluturonin drejt Cyrihut u devijuan për në aeroportet e Shtutgartit, Gjenevës dhe Bazelit.

Si pasojë, deri në orën 07:00 të mëngjesit të së mërkurës u anuluan 70 fluturime, ndërsa shumë pasagjerë u detyruan ta kalonin natën në aeroport.

Ndërpritet koncerti i Linkin Park

Për shkak të motit të keq, koncerti i grupit rock Linkin Park në stadiumin Letzigrund të Cyrihut u ndërpre për rreth 45 minuta, përpara se të rifillonte pas përmirësimit të kushteve atmosferike.

Rrëshqitje dheu dhe bllokime rrugësh

Probleme pati edhe në Zvicrën Qendrore. Në kantonin Uri, rrëshqitjet e dheut dhe gurëve detyruan autoritetet të mbyllnin disa rrugë, përfshirë segmentin e rrugës pranë Seedorfit dhe zonën e kalimit malor Susten.

Përmbytjet çuan gjithashtu në mbylljen e një pjese të autostradës A2, ndërsa autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e emergjencës dhe të shmangin zonat e prekura.

Fatmirësisht, sipas policisë kantonale të Urit, nga stuhitë nuk është raportuar për persona të lënduar. /Albinfo

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër