Prishtinë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, tha sot se viti i ri akademik nis me probleme të rënda të mbartura e të shtuara vit pas viti, që sipas saj kanë asfiksuar çdo shteg të ecurisë normale të jetës studentore, të stafeve akademike dhe specialistëve të institucioneve të arsimit të lartë.
Sipas saj, sot në auditorë ulen disa mijëra studentë më pak se një vit më parë për shkak të shpopullimit.
“Degët më të kërkuara janë ato që përgatisin të rinjtë për të emigruar, sepse diplomat e studentëve janë të pavlefshme në tregun e punës, ngaqë vendet e punës dhe punësimet janë monopol i partisë-shtet”, tha ajo.
Sula theksoi se kostot e një viti studimor janë të papërballueshme për studentët.
“Përveç çmimeve të jetës së përditshme, që s’kanë të ndalur, studentët nuk e përballojnë dot më qiranë e banesës që këtë vit ka shënuar tjetër rritje. Nga ana tjetër, Qytetet e Studentit dhe konviktet që duhet të mirëpresin studentët janë në kushte skandaloze dhe janë kthyer në qendra korrupsioni”, tha ajo.
Ndër të tjera, Sula shtoi se “bota universitare, që përfaqëson elitën e kombit, ka humbur thelbin e saj”.
“Nga tempulli i mendimit të lirë dhe ndërgjegjja kritike e kombit, sot jeton nën presion, pa liri akademike, pa autonomi institucionale, pa mbështetje financiare, pa kërkimin shkencor, pa ndërkombëtarizim, pa infrastrukturë”, tha ajo.
Në fund të fjalës së saj, Sula i ftoi studentët që t’i bashkohen protestës kombëtare ditën e enjte.
