Sulm masiv ndaj Ukrainës, të paktën nëntë të vdekur dhe 100 të plagosur

Nga D. V.
1,074 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kiev, 02 qershor, Zhurnal.mk – Rusia ka ndërmarrë sërish një sulm masiv me raketa dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev dhe qyteteve të tjera të vendit, duke shkaktuar vdekjen e të paktën nëntë personave dhe plagosjen e afro 100 të tjerëve, njoftuan sot autoritetet ukrainase në orët e para të mëngjesit.

Shpërthime të fuqishme u dëgjuan gjatë natës në të gjithë qendrën e Kievit.

Sipas kryebashkiakut të qytetit, Vitali Klitschko, të paktën katër persona humbën jetën dhe 58 të tjerë u plagosën në kryeqytetin me rreth 3 milionë banorë.

Dy prej të plagosurve janë fëmijë, ndërsa 40 persona u shtruan në spital.

Klitschko bëri të ditur se disa ndërtesa u dëmtuan dhe u përfshinë nga flakët.

Shumë banorë u strehuan në stacionet e metrosë dhe bunkerë, ndërsa në disa zona u regjistruan ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë.

Në qytetin e Dnipros, të paktën pesë persona u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën nga sulmet e natës.

Sipas autoriteteve, 23 prej tyre po trajtohen në spital, përfshirë një vajzë 13-vjeçare.

Në Kharkiv, kryebashkiaku raportoi të paktën 10 të plagosur. Forcat ruse goditën gjithashtu objektiva në Zaporizhia.

Forcat Ajrore të Ukrainës deklaruan se Moska përdori raketa balistike dhe raketa kruz gjatë sulmeve.

Informacioni, përfshirë numrin e viktimave, nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Frikë për persona të bllokuar nën rrënoja

“Në lagjen Podilskyi të Kievit, një ndërtesë shumëkatëshe banimi u shemb pasi u godit nga një raketë”, tha Klitschko në Telegram.

Autoritetet druhen se persona të tjerë mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja.

Në një zonë tjetër të kryeqytetit, sulmet dëmtuan katet e sipërme të një pallati 15-katësh. Në disa pjesë të qytetit u raportuan zjarre.

Në Poloninë fqinje, ushtria njoftoi në platformën X se, sistemet e mbrojtjes ajrore u vendosën në gatishmëri dhe avionët ushtarakë u ngritën në fluturim, si reagim ndaj sulmeve ruse në Ukrainë.

Polonia rregullisht, vendos nivelin e gatishmërisë gjatë sulmeve të mëdha ruse ndaj Ukrainës, duke aktivizuar herë pas here edhe avionë luftarakë të aleatëve të NATO-s.

Sulmi pas paralajmërimeve të Zelensky

Rusia ndërmori një tjetër sulm të madh ndaj Kievit me raketa balistike dhe dronë edhe gjatë muajit maj.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar vazhdimisht që nga fundi i javës së kaluar për mundësinë e një sulmi të ri ajror, në shkallë të gjerë.

“Informacionet e inteligjencës që tregojnë mundësinë e një sulmi masiv mbeten të vlefshme”, tha Zelensky në një videomesazh të shtunën, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos shpërfillin alarmet ajrore.

Ai theksoi se mbrojtja ajrore ukrainase mbetet në gatishmëri, por pranoi se vonesat në furnizimet ushtarake nga aleatët perëndimorë, po e vështirësojnë mbrojtjen kundër raketave balistike dhe ato kruz.

Ukraina po përballet me pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë, prej më shumë se katër vitesh, me mbështetjen ushtarake dhe financiare të vendeve perëndimore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër