Szalai: Është rritur besimi mes gazetarëve dhe qeverisë, nevojiten veprime konkrete për sigurinë e gazetarëve

Nga D. V.
553 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 qershor, Zhurnal.mk – Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Pavol Szalai, përfaqësues i organizatës “Reporterët pa kufij” (RSF), mbi situatën e medias në Shqipëri.

Szalai drejton zyrën e RSF-së për Europën Qendrore, që mbulon Shqipërinë dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Si pikënisje e këtij misioni ka qenë një shkëmbim publik mes kryeministrit Edi Rama dhe RSF-së në rrjetin social X mbi rënien e Shqipërisë me tre vende në indeksin botëror për lirinë e medias të vitit 2026, por sigurisht që rrjetet sociale nuk janë platforma dialogu. Ato na ndajnë. Prandaj kam vendosur të vij në Shqipëri të flas përballë jush”, tha Szalai.

Ndërsa bëri një pasqyrim të gjendjes së lirisë së medies në botë, Szalai theksoi se në tërësi indeksi i lirisë së medias i RSF-së ka matur nivelet më të ulëta të lirisë së medias, që kur është krijuar 26 viteve më parë.

Duke u ndalur te situata në Shqipëri, Szalai theksoi se në Shqipëri po rikthehet besimi mes gazetarëve dhe qeverisë.

“Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës kanë mbështetur dialogun, por janë në fakt janë shqiptarët ata të cilët e menaxhojnë atë. Për shumë vite tashmë besimi është rritur. Ndaj, rekomandimi im i parë për ju sot është të mbroni këtë besim”, shtoi ai.

Sipas tij, dekriminalizimi i pjesshëm i shpifjes me ligj, i cili është i vështirë për t’u zbatuar, në fakt shkon kundër kësaj ambicieje.

“Ligji i ri nuk korrespondon me rekomandimet e bëra. Në të ardhmen është absolutisht e rëndësishme që mazhoranca të jetë kohorente në veprimet që bën në platformë, por edhe në parlament. Edhe në qeveri dhe në parlament, ligjbërja duhet të respektojë parimet e debatit publik gjithëpërfshirës”, shtoi ai, ndërsa kërkoi konsensus bipartizan për këtë çështje.

Po ashtu, Szalai theksoi se sulmet politike në gazetari favorizojnë mungesën e besimit.

“Rekomandimi i dytë është që mos të nxitoheni në procesin e ligjbërjes në interes të integrimit të BE-së, por në dëm të cilësisë së procedurave. BE-ja nuk është një listë ligjesh, është komunitet vlerash. Dallimi në rregullat formale dhe joformale është i rëndësishëm dhe çështje kyçe për lirinë dhe transparencën e medias”, shtoi ai.

Falë parlamentit, sipas tij, ka më shumë transparencë në pronësinë e mediave audiovizive.

Ndërkohë rekomandimi i tretë i RSF-së për autoritetet shqiptare është që të vijohet mbi progresin që është bërë deri tani me veprime konkrete për sigurinë e gazetarëve.

“Integrimi i Shqipërisë në BE është një mundësi që jepet njëherë në jetë. Ndoshta është e vetmja mundësi në 10 vite për t’i dhënë sa më shumë liri medias. Mund t’ju them që e kam zili Shqipërinë në këtë moment. Vendi juaj ka objektiva të qarta, ka mbështetjen e partnerëve dhe qytetarëve për t’u futur në Bashkim Europian. Shqipëria do futet një ditë në BE dhe mezi pres në fakt ta shoh këtë ditë”, shtoi ai.

Ndërsa kryetarja e komisionit, Iris Luarasi theksoi se sipas raportit të RSF, Shqipëria është në nivelin kënaqshëm për lirinë e medies.

“Mendoj që për një vend që është duke aspiruar për të qenë anëtar në BE, patjetër që është një rezultat i mirë. Nuk është rezultat i mirë fakti që ka rënë tre pikë nga viti shkuar dhe kjo është një nga gjërat që mendoj që ja vlen që ta diskutojmë”, shtoi Luarasi, duke pyetur mbi metodologjinë dhe mënyrën se si krahasohen nivelet e Shqipërisë edhe me vendet e tjera.

Sfida e momentit, sipas Luarasit, është garantimi i ligjeve që do të jenë aty për një kohë të gjatë, ndërkohë që solli në vëmendje edhe transparencën lidhur me pronësinë e medias.

Ndërsa nënkryetarja e komisionit, Jorida Tabaku theksoi se shëndeti i një demokracie varet edhe nga fuqia e medias dhe nga roli që luan media.

“Sipas indeksit të lirisë së medias të RSF-së Shqipëria renditet e 80-ta nga 180 vende në vlerësimin e fundit, me një rezultat i cili është rreth 56 pikë. Ka një rënie krahasuar nga viti i fundit, jo përmirësim dhe rënia nuk është thjesht numerike sepse përtej shifrave ajo reflekton presionin politik, ekonomik, ligjor, social, ndonjëherë edhe gjyqësor ndaj gazetarëve dhe redaksive”, shtoi ajo.

Liria e medieve, sipas saj, bëhet akoma dhe më e rëndësishme duke qenë se jemi dhe në procesin e integrimit në BE dhe kapitulli 23 e vendos lirinë e medias në qendër të procesit të integrimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër