Tabaku kërkon seancë dëgjimore me Demon për dhunën në protesta: Janë shkelur të drejtat e njeriut

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetarja e komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjeteve të Informimit Publik, Jorida Tabaku kërkoi sot thirrjen në komision të ministrit të Brendshëm, Ervin Demo për të raportuar mbi sjelljen e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve.

Në nisje të mbledhjes së komisionit, Tabaku u shpreh se e ka kërkuar këtë seancë dëgjimore për çështje të të drejtave të njeriut të cilat tri javët e fundit janë vendosur në një pikëpyetje shumë të madhe.

“Kemi pasur dhunë ndaj protestuesve, një mijë të rinj të ndaluar, 250 të shoqëruar, prej tyre dhe të mitur. Por njëkohësisht edhe dhunë ndaj gazetarëve, ku 60 gazetarë kanë qenë pjesë e sulmeve, kërcënimeve, intimidimit, shpeshherë edhe dhunës verbale të policisë. Ne nuk mund të sillemi sikur asgjë nuk ka ndodhur, se ky komision këtë detyrë ka, të diskutojë çështje të të drejtave të njeriut”, u shpreh Tabaku.

Tabaku u shpreh se akti normativ për ligjin “Për tubimet” është antikushtetues, ndërsa paralajmëroi se PD do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese.

Por ndërkohë, sipas saj, qytetarët kanë filluar të ndalohen rrugëve. “Qytetarët kanë filluar që të merren peng nëpër rrugët e Tiranës jo me makina policie, por pa identitet, pa policë të identifikuar si të tillë. Qytetarët kanë filluar të gjobiten. Çfarë vendi jemi ne ku pjesëmarrja në protestë vjen me gjobë? Unë nuk di në qoftë se ka një vend normal, një demokraci normale, ku të marrësh pjesë në protestë, që është një e drejtë kushtetuese, të dënohesh me gjobë”, u shpreh Tabaku.

Sipas saj, të drejtat kushtetuese sot janë vendosur në një pikëpyetje shumë të madhe. “Të drejtat e njeriut duhet të jenë në krye të rendit të ditës dhe për më tepër në këtë situatë nuk mundet të anashkalohen nga ky parlament dhe nga ky komision. Qeveria ka sjellë krahas paketës së tubimeve që është antikushtetuese, ndryshime për Kodin e Procedurës Penale që përsëri cenon Reformën në Drejtësi dhe kufizon të drejtën e informimit. Ka sjellë një seri iniciativash antikushtetuese”, u shpreh Tabaku.

artikuj të ndërlidhura