Tiranë, 19 gusht, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha sot se të dhënat e fundit për eksportet të regjistruara në korrik nuk pasqyrojnë një forcim të ekonomisë prodhuese.
Sipas Tabakut, eksportet u rritën me 10,6% në korrik, por pjesën kryesore të kësaj rritjeje e dhanë materialet e ndërtimit dhe metalet, me 8,9 pikë përqindjeje, si dhe mineralet, karburantet dhe energjia, me 5,3 pikë. Të dyja kategoritë së bashku kontribuuan me 14,2 pikë përqindjeje, ndërsa fasoneria ndikoi negativisht me 4,3 pikë.
“Pra, nuk është forcuar ekonomia prodhuese. Është rritur përkohësisht vlera e disa kategorive të eksporteve, të përqendruara te ndërtimi”, shprehet Tabaku.
Duke iu referuar të dhënave afatgjata, Tabaku tha se nga viti 2014 deri në vitin 2025 vlera e eksporteve në lekë është rritur me rreth 36%, ndërsa sasia fizike e mallrave të eksportuara ka rënë me rreth 14%.
Tabaku u ndal edhe tek ndikimi i kursit të këmbimit. Sipas saj, zhvlerësimi i euros mund të krijojë një pamje optike të rritjes së eksporteve në vlerë, ndërsa eksportuesit që faturojnë në euro përballen me më pak të ardhura në lekë për të mbuluar pagat, energjinë, taksat dhe kostot e prodhimit.
“Goditjen më të rëndë po e merr fasoneria, e cila përbën rreth 30% të eksporteve të mallrave dhe punëson dhjetëra mijëra qytetarë. Pas euros së lirë qëndrojnë fabrika që mbyllen, kontrata që largohen dhe vende pune që humbasin. Ndërkohë, burimi dhe qëndrueshmëria e flukseve të mëdha valutore, të cilat kanë mbiçmuar artificialisht lekun, vazhdojnë të mbeten pa një shpjegim transparent”, tha ajo.
Duke iu referuar rritjes ekonomike, Tabaku tha se në vitin 2025 industria ra me 3,72%, ndërsa bujqësia me 2,5%. Sipas saj, administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe taksat neto kanë dhënë së bashku rreth 77% të rritjes ekonomike prej 3,66%.
“Kjo do të thotë se sot ekonominë po e mbajnë në këmbë shpenzimet e shtetit dhe jo biznesi. Kjo është e vërteta pas perdes së propagandës: sektorët që duhet të prodhojnë, të eksportojnë dhe të krijojnë vende pune po bien. Një shifër mujore mund të shërbejë për propagandë. Por nuk mund të zëvendësojë fabrikat që mbyllen, vendet e punës që humbasin dhe familjet që çdo ditë e kanë më të vështirë të përballojnë jetesën”, tha ajo.
