Moskë, 3 gusht, Zhurnal.mk – Gjashtë persona humbën jetën dhe rreth 15 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve ukrainase gjatë natës në Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia, dhe në rajonin rus të Krasnodarit, njoftuan sot autoritetet ruse.
Sipas kreut të administratës së Krimesë të emëruar nga Moska, Sergei Aksionov, tre civilë u vranë dhe dy të tjerë u plagosën në një sulm ndaj gadishullit.
Ai bëri të ditur lajmin përmes Telegramit, pa specifikuar vendndodhjen e saktë të goditjes.
Krimeja, e aneksuar nga Rusia në vitin 2014, është shënjestër e shpeshtë e sulmeve ukrainase, të cilat Kievi i konsideron si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ruse në territorin e Ukrainës.
Tre viktima të tjera u regjistruan në rajonin e Krasnodarit, në jug të Rusisë dhe pranë Krimesë, ku sipas autoriteteve lokale, ata humbën jetën nga rënia e mbetjeve të një droni të rrëzuar.
Guvernatori i rajonit, Veniamin Kondratiev, tha se sulmi plagosi edhe 13 persona, mes tyre edhe fëmijë, duke e cilësuar ngjarjen një “tragjedi”.
Ai shtoi se objektiv i sulmit ishin infrastrukturat civile.
Më shumë se katër vjet pas nisjes së ofensivës së gjerë ruse kundër Ukrainës, sulmet ajrore dhe me dronë janë intensifikuar ndjeshëm nga të dyja palët, duke shkaktuar një numër gjithnjë e më të madh viktimash civile.
