Tarran: Lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave kërkon bashkëpunim ndërinstitucional

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një seminar kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe ekspertëve nga Kroacia dhe Greqia.

Në hapje të aktivitetit, ambasadori i OSBE-së, Michel Tarran, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër krimit financiar.

“Asnjë institucion nuk mund ta luftojë i vetëm korrupsionin dhe pastrimin e parave”, u shpreh Tarran, duke nënvizuar angazhimin e Prezencës së OSBE-së për të afruar institucionet, për t’i mbështetur me ekspertizë dhe asistencë teknike, si dhe për të nxitur shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare.

Gjatë seminarit, Ana Trstenjak, zëvendësdrejtore e Zyrës së Kroacisë për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe Michail Throuvalas, major në Drejtorinë kundër Krimit të Organizuar të Policisë Greke, ndanë përvojën e vendeve të tyre në hetimin e rasteve konkrete dhe mësimet e nxjerra.

Diskutimet u përqendruan te nevoja për bashkëpunim në çdo fazë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit financiar, nga identifikimi i transaksioneve të dyshimta deri te gjurmimi dhe konfiskimi i pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Seminari synoi të krijojë mundësi për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shqiptare dhe njohjen me praktikat e vendeve të tjera, me qëllim luftën më efektive kundër krimit financiar dhe mbrojtjen e parave publike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër