Pas suksesit historik të albumit të saj më të fundit, “The Life of a Showgirl”, artistja fituese e 14 çmimeve GRAMMY, Taylor Swift, ka njoftuar një këngë krejtësisht të re origjinale me titull “I Knew It, I Knew You” për filmin shumë të pritur të Disney dhe Pixar, Toy Story 5, i cili do të dalë në kinema më 19 qershor.
Kënga e re, e shkruar dhe prodhuar nga Taylor Swift dhe Jack Antonoff, do të publikohet në të gjitha platformat e transmetimit dhe shitjes së muzikës më 5 qershor. Ajo do të jetë pjesë e kolonës zanore të Toy Story 5, e cila publikohet më 19 qershor.
Nga tani kanë filluar para-porositjet në faqen zyrtare të Taylor Swift për tre edicione ekskluzive CD-je, të cilat përfshijnë versionin e këngës siç dëgjohet në film, një version akustik special dhe një version special në piano, secili me vokale dhe produksion unik.
E frymëzuar nga udhëtimi i vazhdueshëm i cowgirl-it Jessie në Toy Story 5, i cili filloi në Toy Story 2, kënga “I Knew It, I Knew You” shënon gjithashtu një rikthim të Swift te rrënjët e saj ‘country’, duke ndërthurur stile që kanë përcaktuar karrierën e saj rekordthyese si kantautore dhe artiste.
Regjisori dhe skenaristi i Toy Story 5, Andrew Stanton, tha:
“Është e pabesueshme sa domethënëse ka qenë që Taylor ta shkruajë dhe ta interpretojë këtë këngë. Lidhja e saj me Jessie-n dhe mënyra e menjëhershme me të cilën e kuptoi atë që po përjetonte personazhi ishin të pamohueshme. Kënga është aq thellësisht e lidhur me Toy Story, saqë që në dëgjimin e parë dukej sikur kishte qenë gjithmonë pjesë e saj, si një anëtare e familjes e humbur prej kohësh. Ishte e destinuar të ndodhte”.
