Toshkovski: Të gjithë 310 kandidatët do të pranohen në Shkollën e Mesme Policore

Nga D V
671 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një intervistë për programin e mëngjesit në Televizionin Alfa, njoftoi se të gjithë kandidatët që i kanë kaluar me sukses seleksionimet dhe kriteret eliminatore do të pranohen në Shkollën e Mesme Policore.

Edhe pse fillimisht ishte parashikuar pranimi i 200 nxënësve, pas analizave dhe konsultimeve, si dhe sigurimit të mjeteve financiare të nevojshme, Qeveria ka vendosur të pranojë të gjithë kandidatët që i plotësojnë kushtet.

“Numri i përgjithshëm i kandidatëve që i kaluan kriteret eliminatore të lidhura me arsimin, notat e nevojshme, sjelljen, karakteristikat fizike dhe shëndetësore është rreth 300 fëmijë. Bëmë një analizë të detajuar nëse mund t’i pranojmë të gjithë, biseduam me Ministrinë e Financave dhe Qeveria vendosi se mund t’i pranojmë të gjithë. Do të ishte me të vërtetë për të ardhur keq të lëmë jashtë cilindo prej atyre fëmijëve që i kanë plotësuar kushtet”, tha Toshkovski.

Ministri shprehu kënaqësi për interesin e madh ndaj shkollës së rikthyer pas 26 vitesh, ku u regjistruan mbi 600 kandidatë, duke vlerësuar se të rinjtë kanë treguar dëshirë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre profesionale në shërbim të shtetit dhe sigurisë së qytetarëve. Shkolla do të fillojë punën më 1 shtator, ndërsa nxënësit do të vazhdojnë arsimin në klasën e tretë dhe të katërt.

Toshkovski theksoi se të gjithë nxënësit që do ta përfundojnë me sukses Shkollën e Mesme Policore do të bëhen pjesë e sistemit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas marrëveshjes që nënshkruhet me ta.

“Të gjithë që do ta përfundojnë me sukses Shkollën e Mesme Policore do të jenë pjesë e sistemit. Ministria e Punëve të Brendshme është e obliguar të sigurojë të gjitha kushtet e nevojshme që ata të bëhen pjesë e MPB. Jam i bindur se kjo gjeneratë në të ardhmen do të jetë krenaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, përfundoi Toshkovski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër