Trump përballë rezistencës kanadeze: Deri ku shkon fuqia amerikane?

Nga D V
539 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 26 gusht, Zhurnal.mk – Përplasja e fundit tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë po shndërrohet në një test të rëndësishëm për aftësinë e administratës së Donald Trump, për t’i detyruar aleatët të pranojnë kërkesat amerikane përmes presionit politik dhe ekonomik.

Vetëm dy ditë para se bisedimet tregtare SHBA-Kanada të dështonin, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e përshkroi kryeministrin kanadez Mark Carney si një “djalë shumë të këndshëm”.

Në një regjistrim audio të publikuar nga “Canadian Press”, Vance e përshkroi si qesharake mënyrën se si Carney përpiqet të tregojë forcë ndaj Trump, duke thënë se kanadezët në fund të fundit tërhiqen në shumë çështje.

Deklarata e tij shkaktoi reagime në Kanada, ndërsa Carney ndërpreu papritur negociatat për një marrëveshje të re tregtare.

Si rezultat, të dy vendet hynë në një raund të ri tarifash, pavarësisht shkëmbimeve tregtare dypalëshe që arrijnë mbi 872 miliardë dollarë çdo vit.

Pse Trump po përplaset me Kanadanë?

Përplasjet mes dy vendeve nisën që gjatë mandatit të parë të Trump, veçanërisht gjatë negociatave për marrëveshjen USMCA, që zëvendësoi NAFTA-n.

Trump kishte pasur gjithashtu marrëdhënie të tensionuara me ish-kryeministrin kanadez Justin Trudeau, të cilin e quante në mënyrë përçmuese “guvernator” dhe Kanadanë “shteti i 51-të i SHBA-së”.

Në politikën e Trump, siguria ekonomike dhe ajo kombëtare janë të lidhura ngushtë.

Për këtë arsye, Kanadaja dhe Meksika, dy prej partnerëve më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së, janë kthyer në objektiva të hershëm të presionit amerikan.

Administrata Trump argumenton gjithashtu se Kanadaja kontribuon shumë pak në mbrojtjen rajonale, ndërsa përfiton ndjeshëm nga marrëdhëniet tregtare me SHBA-në.

Kanadaja po kundërpërgjigjet

Por, presioni amerikan mund të ketë kufijtë e tij. Kanadaja po përpiqet të tregojë se edhe ajo mund t’i shkaktojë kosto ekonomike SHBA-së.

Masat e reja kanadeze përfshijnë tarifa ndaj produkteve amerikane, ndërsa në të ardhmen Otava mund të kufizojë aksesin e SHBA-së në energji dhe minerale kritike kanadeze, si dhe të nxisë bojkotimin e mallrave amerikane.

Situata ngjan, në një tjetër nivel, me përplasjen e SHBA-së me Iranin – edhe një shtet më i dobët ekonomikisht ose ushtarakisht mund të përdorë pika të caktuara presioni, për t’i shkaktuar kosto një fuqie më të madhe.

Në rastin e Kanadasë, këto pika janë veçanërisht energjia, mineralet kritike dhe zinxhirët e furnizimit.

Rreziku i një përshkallëzimi

Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj Kanadasë, duke e akuzuar se “zhvat” SHBA-në.

Nga ana tjetër, kryeministri i Ontarios, Doug Ford, iu përgjigj presidentit amerikan me një deklaratë jashtëzakonisht të ashpër.

Megjithatë, ende ekziston një hapësirë për rikthimin në negociata.

Tarifat e reja kanadeze hyjnë në fuqi pas dy javësh, ndërsa tarifa më e rëndë amerikane, 50% ndaj automjeteve dhe pjesëve të prodhuara në Kanada, nuk pritet të hyjë në fuqi deri në fillim të vitit 2027.

Kjo periudhë mund t’u japë negociatorëve kohë për të rifilluar bisedimet.

Carney përballë një zgjedhjeje

Një tjetër faktor i rëndësishëm, janë zgjedhjet afatmesme amerikane në nëntor.

Një fitore e demokratëve në Kongres mund të kufizojë ndjeshëm hapësirën e veprimit të Trump, ndërsa një rezultat i fortë për republikanët mund ta nxisë atë të vazhdojë presionin.

Qeveria kanadeze duket se po shpreson te mundësia e parë dhe beson se presioni politik në shtete të rëndësishme industriale amerikane mund ta detyrojë Trump të tërhiqet.

Por, Kanadaja po shqyrton edhe një rrugë tjetër, të largohet gradualisht nga varësia ekonomike ndaj SHBA-së dhe të diversifikojë partneritetet e saj tregtare.

Carney ka paralajmëruar se Kanadaja nuk mund të mbështetet më te aleancat tradicionale, nëse “rregullat e lojës” kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore.

Pavarësisht afërsisë gjeografike, marrëdhënia jashtëzakonisht e integruar ekonomike mes dy vendeve mund të jetë duke hyrë në një fazë të re.

Nëse Kanadaja arrin t’i rezistojë presionit të SHBA-së, kjo mund t’u japë edhe vendeve të tjera një model për mënyrën se si mund të përballen me politikën e ashpër tregtare të Trump.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër