Trafik droge, Prokuroria sekuestron dy apartamente dhe një garazh të një të dënuari me 10 vite burg

Nga L. M
666 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar dy apartamente dhe një garazh në pronësi të shtetasit A.A., i dënuar me 10 vite burg për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Sipas organit të akuzës, hetimi pasuror ka nxjerrë në pah se të ardhurat e ligjshme të A.A. dhe familjarëve të tij nuk justifikojnë investimet e kryera në këto pasuri, duke krijuar një disproporcion të dukshëm mes pasurisë së zotëruar dhe të ardhurave të deklaruara.

Për këtë arsye, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata vendosi sekuestrimin e pronave, të cilat dyshohet se janë krijuar me të ardhura që burojnë nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë një apartament 1+1 me sipërfaqe 66.33 m² dhe verandë 44 m² në një kompleks multifunksional në Rrugën “Xhanfize Keko”, si dhe një apartament 2+1 me sipërfaqe 87.9 m², së bashku me një garazh 16 m², në një kompleks në ndërtim në Rrugën “Kahreman Ylli”.

Prokuroria thekson se, bazuar në ekspertimin kontabël dhe dokumentacionin e administruar, pasuritë plotësojnë kriteret e parashikuara nga ligji për sekuestrimin dhe konfiskimin, pasi nuk justifikohen nga burime të ligjshme financiare.

Sipas hetimeve, A.A. ka qenë i përfshirë në veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pasuritë e krijuara rezultojnë në shpërpjesëtim të dukshëm me nivelin e të ardhurave të ligjshme të deklaruara.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër