Shkup, 15 korrik, Zhurnal.mk – Sot skadon afati brenda të cilit partitë politike duhej të arrinin marrëveshje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por ende nuk ka asnjë zgjidhje në horizont.
VMRO-DPMNE nuk heq dorë nga propozimi që diaspora të votojë në mënyrë elektronike ose me postë, ndërsa përpjekja e partisë Levica për t’i ulur në një tryezë partitë opozitare me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për një njësi zgjedhore dështoi. Pas kësaj pasuan akuza dhe përplasje politike mes LSDM-së dhe Levicës, ku secila palë akuzon tjetrën se po vepron në favor të kryeministrit Hristijan Mickoski.
Pavarësisht thirrjes së javës së kaluar nga eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos, si dhe asaj të djeshme nga ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, që partitë të arrijnë një kompromis, duke qenë se reformat janë thelbësore për rrugën evropiane të vendit, qëndrimet e tyre mbetën të pandryshuara.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nuk është optimist se Kodi Zgjedhor do të miratohet, duke u bërë sërish thirrje partive opozitare të gjejnë një zgjidhje që përfshin edhe votimin e diasporës.
“Nuk jam optimist. Kemi të bëjmë me politikanë të papërgjegjshëm dhe të papjekur në opozitë. Si koalicion qeverisës e kemi harmonizuar qëndrimin tonë dhe u kemi thënë: dakordohuni, hartojeni tekstin dhe silleni në Kuvend. Përderisa në të përfshihet votimi i diasporës, ne do ta mbështesim pa rezerva. Kaluan ditë të tëra, ndërsa ata u morën me polemika se kush do ta thërriste takimin dhe ku do të mbahej ai. I ftoj të tregojnë pjekuri dhe përgjegjësi, të ulen së bashku dhe të arrijnë marrëveshje”, deklaroi Mickoski.
Ai rikujtoi edhe deklaratën e eurokomisioneres Marta Kos, e cila gjatë vizitës së saj në Shkup javën e kaluar theksoi se arritja e konsensusit për Kodin Zgjedhor është pjesë e paketës së reformave që lidhen me procesin e integrimit evropian.
“Të gjithë e dëgjuan Marta Kos kur tha se kjo është pjesë e reformave të rëndësishme për eurointegrimin. Është e çuditshme që disa politikanë të opozitës, kur bëhet fjalë për interesat e tyre, flasin vazhdimisht për Evropën, ndërsa kur duhet të tregojnë përgjegjësi bëjnë gjithçka për ta penguar këtë proces”, tha Mickoski.
Nga LSDM kundërshtuan këto pretendime, duke theksuar se pohimet se bllokimi i Kodit Zgjedhor po pengon rrugën evropiane të vendit janë manipulim politik.
Sipas tyre, Bashkimi Evropian nuk kërkon ndryshime të Kodit Zgjedhor sipas interesave të një partie, por zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, gjyqësor të pavarur dhe luftë efektive kundër korrupsionit.
Nga LSDM thonë se propozimet e pushtetit nuk janë kërkesë e Bashkimit Evropian, por iniciativa të vetë qeverisë, të cilat, sipas tyre, krijojnë hapësirë për manipulime zgjedhore, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me votimin e diasporës.
Nga ana tjetër, Levica përsëriti se refuzimi i LSDM-së për t’iu bashkuar një bashkimi opozitar për një njësi zgjedhore përbën sabotim të qëllimshëm. Partia akuzon socialdemokratët se kanë një marrëveshje të fshehtë me VMRO-DPMNE-në për të mos prekur modelin aktual zgjedhor.
Sipas Levicës, bëhet fjalë për një marrëveshje mes partive të vjetra politike për të ruajtur modelin ekzistues zgjedhor, i cili, sipas tyre, u mundëson partive të mëdha të sigurojnë mandate deputetësh që nuk përputhen me mbështetjen reale që gëzojnë te qytetarët. Ata vlerësojnë se çdo përpjekje për reforma thelbësore të Kodit Zgjedhor përballet me të njëjtën rezistencë, pavarësisht retorikës së ndryshme politike.
Përplasjet rreth ndryshimeve në Kodin Zgjedhor nisën që në muajin prill. LSDM u largua nga grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë pasi shumica parlamentare, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, shfuqizoi modelin e të ashtuquajturës qeveri teknike para zgjedhjeve parlamentare, i vendosur me Marrëveshjen e Përzhinos në vitin 2015 për tejkalimin e krizës politike të asaj kohe./
