Tre kampe për emigrantë në Pustec?

Nga admin
393 e lexuar

Pustec, 28 janar – Miratimi i planit kombëtar të kontingjencës për flukset e përziera migratore për periudhën 2026–2028 nga Qeveria e Shqipërisë ka shkaktuar reagime të forta në Pustec, e vetmja bashki në Shqipëri me shumicë maqedonase.

Plani parasheh hapjen e kampeve pritëse për migrantë në tri lokacione në Pustec: njësia administrative Zërnosko, fushat sportive në Pustec dhe fshati Goricë e Vogël. Edhe pse Qeveria e paraqet këtë masë si pjesë të një strategjie më të gjerë për menaxhimin e flukseve migratore, komuniteti maqedonas e përjeton atë si një kërcënim serioz për ekzistencën e tij.

Analistët theksojnë se kjo politikë mund të interpretohet si neglizhencë e të drejtave të pakicës maqedonase dhe si sinjal se shteti shqiptar nuk e vendos mbrojtjen e diversitetit kulturor në plan të parë. Pusteci nuk është thjesht një njësi administrative, por simbol i pranisë maqedonase në Shqipëri, dëshmi e gjallë e historisë dhe identitetit maqedonas që ka mbijetuar për shekuj pranë Liqenit të Prespës.

Nëse maqedonasit zhduken ose reduktohen në një prani simbolike, kjo do të ishte humbje jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, përfshirë edhe Maqedoninë, sepse do të humbiste një urë mes kulturave dhe një lidhje e gjallë me të kaluarën.

Pse Pusteci nuk duhet të shndërrohet në kamp migrantësh?

Shqipëria, si shtet me territor të gjerë dhe popullsi relativisht të vogël, ka mundësi hapësinore dhe institucionale për të zbatuar politika të tilla në zona të tjera, ku ndikimi mbi komunitetet lokale do të ishte më i vogël. Zgjedhja e Pustecit, një bashki e vogël me rreth 243 km² dhe vetëm 1.880 banorë, përfaqëson një ndërhyrje me peshë të jashtëzakonshme simbolike dhe demografike.

Pusteci është e vetmja bashki në Shqipëri me shumicë maqedonase dhe çdo ndërhyrje aty prek drejtpërdrejt mbijetesën e një komuniteti etnik dhe kulturor historikisht të rëndësishëm. Vendosja e qindra migrantëve në një komunitet kaq të vogël rrezikon të prishë balancën etnike brenda një kohe shumë të shkurtër, duke i bërë maqedonasit pakicë në vendin e tyre.

Pasojat nuk do të ishin vetëm statistikore, por do të preknin jetën e përditshme, ndjenjën e përkatësisë dhe vetëdijen kulturore. Kjo situatë mund të përshpejtojë emigrimin e mëtejshëm të banorëve vendas, duke thelluar krizën demografike dhe duke zbrazur edhe më shumë fshatrat e zonës.

“Ky vendim është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj komunitetit maqedonas në Shqipëri. Pusteci është e vetmja bashki ku maqedonasit janë shumicë, dhe me vendosjen e migrantëve rrezikohet balanca etnike dhe autenticiteti kulturor”, deklaroi Vasil Sterjovski, kryetar i Aleancës Maqedonase për Integrim Evropian (MAEI).

Ai shtoi se Qeveria duhet ta anulojë këtë vendim dhe të gjejë lokacione të tjera, përndryshe rrezikon të fshijë bashkinë e vetme maqedonase në vend.

Maqedonasit si pakicë në shtëpinë e tyre

Pasojat e këtij vendimi janë të shumëfishta: demografike, kulturore dhe simbolike. Rënia demografike e komunitetit maqedonas mund të përshpejtohet ndjeshëm, ndërsa identiteti kulturor – gjuha, traditat, zakonet dhe festat fetare – rrezikon të zbehet në një realitet të ri ku prioritet do të kenë nevojat administrative të kampeve dhe integrimi i migrantëve.

Vlera simbolike e Pustecit si bastioni i vetëm maqedonas në Shqipëri mund të dëmtohet deri në zhdukje. Pusteci nuk është vetëm një pikë në hartë, por kujtesë e gjallë e historisë së maqedonasve në Shqipëri, urë lidhëse mes kulturave dhe dëshmi e një identiteti që ka mbijetuar shekuj me radhë.

“Vendosja e qendrave pritëse për migrantë në bashkinë e Pustecit me popullsi autoktone maqedonase përfaqëson një ndërhyrje demografike me pasoja afatgjata, që rrezikon seriozisht mbijetesën, identitetin dhe qëndrueshmërinë e këtij komuniteti, si dhe do të ketë ndikim negativ në zhvillimin e turizmit në rajonin e Prespës”, thuhet në reagimin e shoqatës maqedonase “Ilinden” – Tiranë, të nënshkruar nga kryetari Nikolla Gjurgjaj.

Neglizhencë e të drejtave të pakicave

Në një kontekst më të gjerë, kjo politikë shihet si neglizhencë e të drejtave të pakicave dhe si precedent i rrezikshëm për një shtet që synon integrimin evropian. Mbrojtja e pakicave është një vlerë themelore evropiane dhe zhdukja e komunitetit maqedonas në Pustec do të ishte humbje e pariparueshme për diversitetin kulturor të Ballkanit.

“Nuk jemi kundër politikave shtetërore për migracionin, por ato nuk guxojnë të zbatohen në dëm të pakicave. Pusteci është shtëpia jonë, identiteti ynë dhe simboli ynë. Nëse e humbim, humbim një pjesë të shpirtit tonë”, përfundon Sterjovski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër