Trençevska kërkoi dorëheqjen e Stoilkoviçit: A do t’u kërkojë falje deputetëve dhe qytetarëve për sharjet dhe ofendimet në Kuvend?

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 shtator, Zhurnal.mk – Deputetja e LSDM, Jovana Trençevska, në seancën e sotme parlamentare për pyetje të opozitës, në mungesë të ministrit Ivan Stoilkovic, kërkoi përgjigje me shkrim nëse ai do t’u kërkojë falje deputetëve dhe qytetarëve për sharjet, ofendimet dhe tentimin për përleshje fizike në Kuvend, si dhe nëse do të japë dorëheqje.

“Kjo sjellje është e padenjë për një deputet dhe ministër. Stoilkovic nuk mund të jetë mbi përgjegjësinë vetëm pse gëzon mbrojtjen e kryeministrit Hristijan Mickoski”, tha Trençevska.

Ajo theksoi se për muaj të tërë qytetarët janë dëshmitarë të gjuhës fyese të Mickoskit, duke krijuar atmosferë ku edhe bashkëpunëtorët e tij ndihen të inkurajuar të sillen në të njëjtën mënyrë ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur.

“’Talog’, ‘mekoteli’, ‘kolenichari’, ‘glodari’, ‘mediokriteti’… Këto nuk janë thjesht deklarata politike. Kjo është përçmim ndaj qytetarëve nga pozita më e lartë shtetërore”, tha Trençevska.

Deputetja shtoi se kulmi i këtij sjelljeje ishte sharja e deputetëve dhe tentimi për përleshje fizike në Kuvend nga ministri Ivan Stoilkovic.

“Kjo nuk është forcë, por arrogancë dhe përçmim ndaj qytetarëve, sepse deputetët janë përfaqësues të drejtpërdrejtë të tyre”, theksoi ajo.

Trençevska akuzoi se, pavarësisht sjelljes së tij, Stoilkovic nuk ka kërkuar kurrë falje, ndërsa pas rekonstruksionit të Qeverisë mori një funksion të ri ministror.

“Vendosja e Stoilkovicit në post ministror nuk është rastësi. Kjo është garanci që ndikimi i Vuçiç të mbetet i institucionalizuar në Qeveri. Mickoski, në vend që t’u shërbejë qytetarëve të Maqedonisë, me një kabinet të tillë vazhdon t’u shërbejë interesave të palëve të treta”, tha Trençevska.

Ajo e akuzoi Mickoskin edhe për heshtjen ndaj qëndrimeve të Stoilkovicit për Ratko Mlladiçin, të dënuar për krime lufte.

“Fshirja e një postimi nga rrjetet sociale nuk do të thotë fshirje e qëndrimit. Është e qartë se ai mbështet gjenocidin. Kjo është diçka që Mickoski nuk mund ta fshijë. Fshirja e postimit nuk mund ta fshijë historinë dhe as vendimin për krimet e luftës të Mlladiçit”, tha Trençevska.

Në fund, ajo paralajmëroi se sjellja e Stoilkovicit dhe mbrojtja që i jep Mickoski hapin pyetje serioze për interesat që ndjek politika e Qeverisë.

“E dimë që Mlladiç është gjeneral i Vuçiçit. Tani e dimë që është edhe i Mickoskit”, përfundoi Trençevska.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër