Uashington, 6 qershor Zhurnal.mk – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Irani ka humbur shumicën e kapacitetit të tij për prodhimin e raketave dhe dronëve dhe se i ka mbetur vetëm “21-22 për qind” e stokut të raketave, transmeton Anadolu.
“Shumica e fabrikave të dronëve janë shkatërruar, shumica e platformave të lëshimit janë shkatërruar dhe shumica e zonave të prodhimit të raketave janë shkatërruar”, tha Trump në një intervistë për NBC News që do të transmetohet të dielën, ndërsa pjesë nga ajo u publikuan të premten.
“Ata ende kanë kapacitet. Kanë disa raketa, kanë disa dronë”, shtoi ai.
“Do të thosha në përqindje, ndoshta 21-22 për qind të raketave të tyre. Janë shumë raketa, por nuk është si më parë kur filluam sulmin”, theksoi Trump.
I pyetur pse Irani ende nuk ka pranuar një marrëveshje për t’i dhënë fund përhershëm luftës që filloi më 28 shkurt, pavarësisht, siç tha ai, “shpresës së tyre për zgjidhje”, Trump u përgjigj: “Ata janë krenarë dhe ka gjëra që kurrë nuk menduan se do t’i bënin, por tani do të detyrohen t’i bëjnë. Nuk kanë zgjedhje dhe kjo merr pak kohë”.
I pyetur pse nuk arriti një marrëveshje më të mirë pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore me Iranin gjatë mandatit të tij të parë, ai tha: “Duhet vite për t’i bërë këto gjëra. Këta njerëz kanë luftuar për 47 vjet”.
