Trump: Marrëveshja e paqes me Iranin mund të nënshkruhet brenda dy ose tri ditësh

Nga D. V.
933 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 09 qershor, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se negociatat me Iranin janë ende në zhvillim dhe se pret që një marrëveshje paqeje të nënshkruhet brenda “dy ose tri ditësh”, sipas “The Independent”.

Duke folur para gazetarëve, presidenti Trump tha se nuk ka më çështje të pazgjidhura në bisedime. “Kemi një mundësi të mirë për ta arritur. Jemi shumë pranë një marrëveshjeje shumë të mirë, të fortë dhe të fuqishme”, u shpreh ai.

Sipas presidentit amerikan, Ngushtica strategjike e Hormuzit do të rihapet sapo të nënshkruhet një marrëveshje armëpushimi. Kjo rrugë detare konsiderohet jetike për transportin global të naftës dhe gazit.

Deklaratat e  presidentit Trump vijnë pasi Irani dhe Izraeli ranë dakord të ndalin sulmet, pas shkëmbimeve të zjarrit që shënuan përplasjen e parë mes dy vendeve që nga armëpushimi i arritur në prill. Përshkallëzimi i tensioneve kishte ngritur shqetësime për një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme.

I pyetur nëse SHBA-ja do ta mbështeste Izraelin në rast se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të rifillonte luftën kundër Iranit, Trump u shpreh skeptik.

“Nuk besoj se do të ndodhë. Gjithçka po shkon shumë mirë. Irani po bën atë që duhet të bëjë,” tha ai. Trump shtoi se ka ndikim të madh mbi Netanyahun, duke deklaruar: “Nëse i them të bëjë diçka, ai e bën.”

Presidenti amerikan zbuloi gjithashtu se e ka paralajmëruar kryeministrin izraelit për pasojat e një rikthimi në konflikt. “I thashë: ‘Bibi, duhet të jesh i kujdesshëm, përndryshe shumë shpejt mund të mbetesh i vetëm’”, tha Trump.

Sipas tij, një rifillim i luftimeve do ta vinte Izraelin në rrezik të humbjes së mbështetjes amerikane, ndërsa Uashingtoni po përpiqet të konsolidojë armëpushimin dhe të finalizojë një marrëveshje afatgjatë me Teheranin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër