Shkup, 27 qershor Zhurnal.mk – Numri i familjeve të bletëve në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rënie gjatë vitit 2025, megjithatë prodhimi i mjaltit organik është rritur, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave.
Sipas statistikave, prodhimi i mjaltit organik në vitin 2025 është rritur me 13,1% krahasuar me vitin 2024, ndërsa numri i familjeve të bletëve është ulur me 2,6%. Gjatë vitit të kaluar janë prodhuar gjithsej 69.658 kilogramë mjaltë.
Raporti tregon gjithashtu se është rritur edhe numri i kafshëve organike. Numri i gjedheve organike ka arritur në 9.546 krerë, ose 1,1% më shumë se një vit më parë. Numri i deleve organike është rritur me 9,4%, duke arritur në 118.138 krerë, ndërsa numri i dhive organike është rritur me 0,3%, në 5.079 krerë.
Ndërkohë, sipërfaqja e tokës së punueshme në bujqësinë organike arrin në 5.145 hektarë, ku rreth gjysma e saj është e mbjellë me kultura drithërash.
