Tiranë, 8 tetor Zhurnal.mk – Në rënie krahasuar me verën por në rritje në lidhje me 1 vit më parë, inflacioni në Shqipëri në muajin shtator kapi nivelin 2.9%.
Instituti i statistikave bën të ditur se çmimet kanë mbetur të larta edhe një muaj më parë.
Shtytjen kryesore e dhanë ushqimet dhe pijet joalkoolike të cilat kontribuuan me 0.96% në inflacionin vjetor. Pas tyre renditet transporti me 0.81% ndërsa qiratë, uji, energjia elektrike dhe karburantet ndikuan me 0.54%.
Edhe në rritjen reale të çmimeve, transporti është sektori që kryeson çmimet e tij janë rritur me 12.4% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar. Ndikim ndjeshëm kanë patur dhe argëtimi, sporti dhe kultura, sigurimet dhe shërbimet financiare me 4.5%.
Në kahun tjetër disa kategori kanë frenuar inflacionin. Veshjet dhe këpucët janë ulur me 3.1% ndërsa çmimet në informacion dhe komunikim kanë rënë me 1.1%.
Ndonëse pas sezonit veror inflacioni shfaqi rënie të lehtë vet Banka e Shqipërisë paralajmëron se çmimet mund të rriten edhe më tej. Ndikuar nga presionet gjeopolitike ekonomia shqiptare sipas guvernatorit mund të preket nga një tjetër valë çmimesh në 2 tremujorët e ardhshëm i ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe te partnerët tregtarë.
Dhe ndërsa statistikat tregojnë një inflacion pranë objektivit për konsumatorin matësi është çmimi që paguan çdo ditë për ushqime, transport dhe shërbime.
Pasqyra e plotë e çmimeve të cilën Ministria e Ekonomisë u shpreh se do të jetë gati në fillim të tetorit ende nuk ka rezultate konkrete. Duke bërë që çmimet të vijojnë të shtrenjtohen dhe barrën përfundimtare ta paguajnë konsumatorët.
