Unaza hekurudhore e Shkupit u lëshua për transport më të shpejtë të mallrave, më pak trena në qendër

Nga I.A
910 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 korrik, Zhurnal.mk – Unaza hekurudhore e Shkupit do të mundësojë transport më të shpejtë dhe më efikas të mallrave përgjatë Korridorit 10, si dhe do të kontribuojë në uljen e ndotjes në kryeqytet, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

Ai theksoi se me rikonstruksionin e unazës hekurudhore, trenat e mallrave nuk do të kenë më nevojë të kalojnë nëpër zonën qendrore të qytetit, gjë që sjell përfitime të shumëfishta – kohë më të shkurtër transporti, siguri më të madhe dhe cilësi më të mirë të jetesës për qytetarët.

“Është e vërtetë se para 30–40 vitesh, kur u ndërtua për herë të parë kjo unazë, trenat e mallrave nuk kalonin nëpër Shkup. Por, për shkak të neglizhimit dhe degradimit të infrastrukturës hekurudhore gjatë viteve të fundit, ky koridor nuk përdorej. Ne vendosëm ta rikonstruktojmë plotësisht së bashku me NP Hekurudhat Infrastrukturë dhe në kohë rekord e përfunduam unazën hekurudhore të Shkupit”, tha Nikolloski.

Sipas tij, modernizimi i infrastrukturës hekurudhore do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik përgjatë Korridorit 10, veçanërisht përmes përmirësimit të lidhjeve me vendet fqinje.

Si hap të rëndësishëm ai veçoi futjen e sistemit “One‑stop shop” në kufirin hekurudhor me Greqinë, me të cilin trenat e mallrave nuk kanë më nevojë të ndalen dy herë gjatë kalimit të kufirit, por kalojnë përmes një kontrolli të përbashkët.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Gjevgjelinë, sepse Korridori 10 kalon pikërisisht këtu. Për më tepër, po punojmë edhe për ndërtimin e një pikëkalimi hekurudhor të përbashkët me Serbinë, gjë që do ta përshpejtojë më tej transportin”, theksoi ministri.

Sa i përket ndërtimit të linjës së shpejtë hekurudhore në Korridorin 10, Nikolloski informoi se përgatitja e dokumentacionit po zhvillohet sipas dinamikës së planifikuar.

“Pres që gjatë verës të përfundojnë të gjitha dokumentet. Një nga një po kompletohen dhe të gjitha janë brenda afateve të parashikuara. Më pas do të vijë edhe faza e ndërtimit”, shtoi Nikolloski.

Nga Ministria e Transportit thonë se me këto projekte krijohen kushte që Maqedonia të bëhet një korridor transporti më konkurrues dhe më tërheqës për trafikun ndërkombëtar të mallrave.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër