Vazhdon gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, dëshmon eksperti i Mjekësisë Ligjore

Nga D. V.
457 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 maj, Zhurnal.mk – Në ambientet e burgut Idrizovë, sot pritet të vazhdojë procesi gjyqësor për tragjedinë e rëndë që ndodhi në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë mbetën të lënduar.

Seanca e sotme pritet të fokusohet në dëshminë e ekspertit nga Mjekësia ligjore, i cili do të paraqesë gjetjet lidhur me shkaqet e vdekjes së viktimave dhe natyrën e lëndimeve të të mbijetuarve. Dëshmia e tij konsiderohet kyçe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësisë penale të të akuzuarve.

Sipas aktakuzës, zjarri në diskotekën “Puls” shpërtheu në kushte të papërshtatshme sigurie, duke shkaktuar panik dhe pasoja tragjike për të pranishmit. Prokuroria ka theksuar më herët se një sërë shkeljesh të rregullave të sigurisë dhe mungesa e kushteve elementare për mbrojtje nga zjarri kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmasat e katastrofës.

Mbrojtja, në anën tjetër, ka kundërshtuar disa nga pretendimet e prokurorisë, duke kërkuar analizë më të detajuar të provave dhe rrethanave që çuan në shpërthimin e zjarrit.

Procesi gjyqësor për këtë rast vazhdon të ndiqet me interes të madh nga opinioni publik, duke pasur parasysh përmasat e tragjedisë dhe nevojën për drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër