Vdekja e Kastriot Myftarajt që u mbyll si vetëvrasje

Nga Xh M
741 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 20 qershor ZHurnal.mk – Më 7 korrik 2022, opinionisti dhe gazetari investigativ Kastriot Myftaraj, drejtues i emisionit “Ju Flet Moska”, u gjet i pajetë në trotuar, pasi dyshohet se ishte vetëhedhur nga kati i katërt i pallatit ku banonte. Menjëherë pas ngjarjes, Policia e Shtetit e klasifikoi rastin si vetëvrasje, ndërsa dosja hetimore u mbyll brenda një kohe të shkurtër.

Megjithatë, katër vite më pas, vijojnë të artikulohen pretendime se hetimi nuk ka shqyrtuar të gjitha rrethanat dhe provat që, sipas familjarëve dhe personave pranë gazetarit, mund të kishin çuar drejt një piste tjetër hetimore.

Sipas avokatit Kastriot Frashëri, mik i familjes së gazetarit të ndjerë, policia, prokuroria dhe më pas gjykata që pushoi çështjen si “vetëvrasje”, kanë lënë jashtë hetimit dëshmitarë kyç, prova të rëndësishme dhe një person që konsiderohej i dyshuar potencial në këtë ngjarje.

Sipas dëshmive të miqve dhe bashkëpunëtorëve të Kastriot Myftarajt, si dhe deklarimeve të nënës së tij, hetuesit kishin në dispozicion indicie që krijonin dyshime të arsyeshme për një person të njohur në rrethin e gazetarit, i cili identifikohej me pseudonimin “Bashkim Përmeti”. Sipas materialit, ky pseudonim është përdorur para viteve ’90, kur personi në fjalë ka qenë oficer sigurimi në ushtri, ndërsa pas vitit 1992 thuhet se ka vepruar si bashkëpunëtor i SHIK-ut, policisë dhe prokurorisë, i infiltruar në redaksi gazetash me profil të kronikës së zezë.

Pretendohet se hetimet që mbetën jashtë dosjes kishin krijuar një linjë provash sipas së cilës “Bashkim Përmeti” kishte fituar besimin e plotë të Kastriot Myftarajt, deri në atë pikë sa të hynte lirshëm në banesën e tij.

Nga dëshmi të personave të rrethit të përbashkët shoqëror dhe nga komunikime telefonike, sipas të njëjtit material, rezultonte se ky person i ishte afruar gazetarit si pjesë e një angazhimi privat, i ngarkuar nga individë me ndikim, përfshirë politikanë, qeveritarë, drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe policisë, si edhe biznesmenë të fuqishëm që kishin qenë subjekt i investigimeve të Myftarajt.

Një tjetër element që, sipas pretendimeve, nuk u përfshi në hetim ishte fakti se dera e apartamentit të gazetarit rezultonte e hapur pas ngjarjes. Gjithashtu, në dorezën e derës, në mure dhe në orendi të ndryshme të banesës thuhet se u gjetën gjurmë gishtash dhe këpucësh që nuk i përkisnin as Kastriot Myftarajt dhe as nënës së tij.

Po ashtu, sipas deklarimeve të familjarëve, nuk u hetua dyshimi i nënës së gazetarit, e cila kishte shprehur bindjen se personi i identifikuar me pseudonimin “Bashkim Përmeti” mund të kishte lidhje me ngjarjen.

Në deklarimet e saj para policisë dhe prokurorisë, nëna e Kastriot Myftarajt kishte ngritur edhe një tjetër dyshim. Ajo pretendonte se i njëjti person kishte tentuar më herët ta helmonte gazetarin gjatë një dreke të përbashkët, duke i hedhur substanca të rrezikshme në ushqim dhe pije, çka sipas saj i kishte shkaktuar probleme shëndetësore.

Sipas materialit, këto pretendime u depozituan edhe në gjykatë, por trupa gjyqësore nuk kërkoi kryerjen e hetimeve shtesë për verifikimin e tyre dhe as plotësimin e dosjes me prova të tjera.

Një element që është përmendur gjithashtu është fakti se personi i dyshuar nuk mori pjesë në ceremoninë mortore të gazetarit dhe nuk i paraqiti ngushëllime nënës së tij, pavarësisht marrëdhënies së afërt që pretendohet se kishin pasur.

Ndërkohë, kur në qarqe mediatike nisën të qarkullojnë akuza dhe dyshime se ai mund të kishte rol në vdekjen e Myftarajt, “Bashkim Përmeti” reagoi publikisht. Sipas materialit, reagimi i tij përmbante mohime të kontakteve dhe vizitave në banesën e gazetarit ditën e ngjarjes, si dhe kundërshtime të pretendimeve që lidhen me takimet dhe drekat e përbashkëta.

Katër vite pas vdekjes së Kastriot Myftarajt, çështja vazhdon të mbetet objekt diskutimi në media dhe opinion publik, ndërsa familjarë dhe persona pranë gazetarit të ndjerë vijojnë të kërkojnë sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe verifikimin e pretendimeve që, sipas tyre, nuk u hetuan asnjëherë nga organet përgjegjëse./JOQ

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër