Këngëtarja britanike Bonnie Tyler, një yll i viteve 1980 dhe e njohur për hitin e saj “Total eclipse of the heart”, vdiq në moshën 75-vjeçare, njoftoi familja e saj në një deklaratë.
“Familja dhe ekipi i Bonnie-t janë të pikëlluar të njoftojnë se ajo ndërroi jetë papritur mbrëmë në një spital në Portugali, pas sëmundjes për të cilën po trajtohej”, thuhej në deklaratën e publikuar në faqen e yllit në Facebook.
”Total eclipse of the heart”, në vitin 1983, ishte hiti i saj më i madh.
Kënga kaloi një miliard dëgjime në Spotify më herët këtë vit – por meqenëse ishte shkruar nga dikush tjetër, Tyler tha se ajo nuk fitoi pothuajse asgjë prej saj.
Në maj, këngëtarja e lindur në Uellsin e Jugut u vendos në një komë të induktuar pas një operacioni urgjent në zorrë në Portugali.
Muajin e kaluar, zëdhënësi i saj tha se ajo doli nga koma, por mbeti ”shumë e sëmurë dhe në kujdes intensiv”.
Ajo u lind në vitin 1951 në Neath të Uellsit.
Babai i saj punonte në minierat e qymyrit dhe nëna e saj qëndroi në shtëpi për t’u kujdesur për gjashtë fëmijët e çiftit.
Vajza e re filloi të këndonte në kishë dhe e la shkollën në moshën 16 vjeçe.
Ajo punoi në një dyqan ushqimor, ndërsa përpiqej të hynte në industrinë e muzikës dhe e ndryshoi emrin e saj për herë të parë në Sherene Davis për të shmangur ngatërrimin me një këngëtare tjetër uellsiane, Mary Hopkin.
Në vitin 1975, ajo u vu re nga një skaut talentesh Roger Bell në një klub në Swansea.
Disa muaj më vonë, ajo nënshkroi kontratë me RCA Records dhe e ndryshoi përsëri emrin e saj, këtë herë në Bonnie Tyler.
Këngëtarja fitoi vëmendjen për herë të parë me këngën “Lost in France” (1976).
Menjëherë pas kësaj, ajo iu nënshtrua një operacioni për të hequr nyjet nga kordat e saj vokale.
Meqenëse nuk e kishte pushuar mjaftueshëm zërin pas operacionit, ajo fitoi zërin e ngjirur që do të bëhej karakteristika e saj.
“It’s a Heartache”, e publikuar të njëjtin vit, ishte hiti i saj i parë i madh ndërkombëtar.
