Wally Funk, gruaja më e vjetër që ka udhëtuar në hapësirë, ka ndërruar jetë në moshën 87 vjeç.
Funk vdiq në apartamentin e saj në një qendër për të moshuar në Grapevine të Teksasit, sipas këshilltares së qytetit dhe mikut të saj Duff O’Dell.
Një pionere e aviacionit, Funk ishte 82 vjeç kur u nis në hapësirë me raketën Blue Origin të themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, në vitin 2021.
Në atë kohë, ajo ishte personi më i vjetër që shkoi në hapësirë – një rekord që që atëherë është thyer nga aktori i Star Trek, William Shatner, dhe Ed Dwight, amerikani i parë me ngjyrë që u trajnua si astronaut.
Të dy ishin 90 vjeç gjatë fluturimit të tyre në hapësirë.
Në vitet 1960, Funk ishte një nga 13 pilotet femra – të cilat u bënë të njohura si Mercury 13 – që kaluan nëpër të njëjtat teste si korpusi i astronautëve meshkuj të NASA-s, por atyre nuk iu lejua të bëheshin astronaute.
Bezos, i cili zgjodhi Funk si një “mysafire nderi” në raketën e tij, i bëri homazh asaj në një deklaratë në rrjete sociale, duke këmbëngulur se “ëndrrat nuk kanë datë skadimi”.
“Wally Funk priti 60 vjet për të shkuar në hapësirë dhe askush nuk e meritoi më shumë. Ajo u stërvit me Mercury 13 në vitin 1961, i tejkaloi burrat në teste dhe gjithsesi iu tha jo. Ajo kurrë nuk pushoi së fluturuari – 19,600 orë, mijëra studentë, një jetë plot me gjëra të reja”, tha Bezos.
“Pesë vjet më parë këtë muaj, pata nderin të fluturoja me të në fluturimin e parë me ekuipazh të New Shepard. Në moshën 82 vjeç, ajo ishte e patrembur, e gëzuar dhe kërkonte të fluturonte përsëri para se të uleshim”, shtoi ai.
“Ëndrra e saj zgjati gjashtë dekada, por u bë realitet. Ëndrrat nuk kanë datë skadimi. Paç fat, Wally”, përfundoi Bezos.
Sipas një biografie të shkurtër të publikuar nga Qyteti i Grapevine, Funk ishte inspektorja e parë femër për Administratën Federale të Aviacionit dhe hetuesja e parë femër e sigurisë ajrore për Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit.
Blue Origin e cilësoi atë si një “pioniere në çdo kuptim të fjalës”, ndërsa administratori i NASA-s, Jared Isaacman, tha se trashëgimia e Funk do të zgjasë.
“Wally Funk nuk pushoi kurrë së besuari se një ditë do të arrinte në hapësirë. Pasioni i saj për fluturimin, këmbëngulja dhe dashuria për eksplorimin do të vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë amerikanësh”, tha Isaacman.
