Kërçovë, 16 gusht Zhurnal.mk – Edhe një verë me premtime pa realizim për hapjen e pishinës së mbyllur në Kërçovë. Kjo pishinë filloi të ndërtohet para 6 viteve, por ende nuk është gati për t’u hapur. Gjatë ndërtimit punimet hasën në probleme të shumta, si infrastrukturore, ashtu edhe teknike.
-Kaloi edhe kjo verë dhe pishina e mbyllur në Kërçovë nuk u hap, kjo pishinë është premtuar prej vitesh, por siç mund të shihet ka përparim dhe dallim prej viteve tjera pasi që për një kohë të gjatë qëndroi vetëm në fazën karabina. TV21 disa herë ka reaguar për këtë pishinë dhe ka kërkuar përgjigje nga institucionet edhe pse e kanë premtuar hapjen e saj shumë shpejt ende nuk është bërë një hap i tillë.
Në mars të këtij viti zëvendësministrja e sportit Safije Sadiku-Shahini tha se pishina do të hapet brenda 10 ditëve, por ishte vetëm një premtim pa realizim.
“Pishina në Kërçovë është në fazën përfundimtare të realizimit. Të gjitha punimet ndërtimore dhe teknike janë drejt përfundimit dhe pritet që brenda 10 ditëve të bëhet hapja solemne. Ky projekt ka rëndësi të veçantë për zhvillimin e sportit dhe për të rinjtë në këtë rajon dhe me në fund po finalizohet dhe shumë shpejt do të vihet në funksion”, deklaroi Safije Sadiku Shahini, zv/ ministre e Sportit (28.03.2026).
Për këtë pishinë kemi pyetur edhe kryetarin e Komunës së Kërçovës Aleksandar Jovanovskin, i cili gjatë fushatës së tij parazgjedhore u zotua se do të bëjë gjithçka që pishina të hapet shpejt. Kohë më parë ai deklaroi se ka probleme teknike-administrative, por siguronte se me ekipin e tij sa më shpejt do ta lëshojnë në përdorim.
Kujtojmë se ndërtimi i pishinës ka kushtuar 43 milionë denarë. Filloi të ndërtohet në vitin 2020 dhe ishte paraparë të përfundonte brenda 18 muajve. Është një investim i Ministrisë së Sportit.
