Viti i ri shkollor, Kumbaro: Ndalim celularëve, kamera inteligjente dhe “Pas Shkolle”

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 7 shtator, Zhurnal.mk – Në vijim të takimeve me drejtues të strukturave të arsimit parauniversitar, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, dha disa mesazhe të rëndësishme para fillimit të vitit të ri shkollor përpara drejtorëve të më shumë se 200 shkollave të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar të Tiranës.

Ajo u ndal tek udhëzimi i nxjerrë rishtazi për vitin shkollor 2026-2027, duke e vendosur fokusin tek ndalimi i telefonave celularë gjatë mësimit, kodi i etikës për mësuesit dhe stafet arsimore, si dhe tek krijimi i një mjedisi sa më miqësor dhe mirëseardhës për të gjithë nxënësit në ditën e parë të shkollës.

“Ne punojmë të gjithë me të njëjtën frymë, punojmë me të njëjtat parime, edhe të njëjtat rregulla. Dhe bëhemi gati për të filluar një vit të ri shkollor duke përforcuar arritjet e vitit të kaluar, por duke nxjerrë edhe shumë mësime nga çfarë nuk na shkoi mirë dhe sidomos të përgatitemi për rregullat dhe programet e reja të udhëzimit të këtij viti.
Rregullit të ndalimit të celularit i rikthehemi me rigorozitet duke nisur që nga mësuesit. Vjet gjithashtu kemi miratuar Kodin e Etikës për mësuesit, oficerët e sigurisë, punonjësit e shërbimit psikosocial. Kur flas për Kodin e Etikës, nuk e kam fjalën thjesht tek pamja, por sidomos tek komunikimi. Puna këtë vit fillon nga komunikimi. Dita e parë e shkollës, për të parën herë përmes një udhëzimi është vendosur në udhëzimin e ri të vitit shkollor, të jetë një ditë njohjeje, prezantimi me shkollën, mësuesin, librat dhe shokët e klasës”, sqaroi ministrja.

Më tej, ministrja Kumbaro u ndal tek siguria në shkolla duke sqaruar opinionin publik dhe komunitetin e prindërve, fëmijët e të cilëve mësojnë në shkollat e përzgjedhura për projektin “Smart City”, mbi të dhënat e kamerave inteligjente të këtij projekti të cilat do të monitorohen nga Qendra e Monitorimit pranë Policisë së Shtetit.

“U avancua fillimisht si projekt pilot në 20 shkolla të Tiranës dhe Kamzës me kamerat inteligjente. Bëhet fjalë për kamera inteligjente të cilat detektojnë rreziqe që nga tymi i cigares, objekte të përcaktuara në katalog si të rrezikshme dhe fytyra njerëzish të raportuar si persona me rrezikshmëri”, duke theksuar më tej se kamerat janë një mjet ndihmës që nuk zëvendësojnë vëmendjen dhe komunikimin e zinxhirit të sistemit arsimor.

Në këtë vit shkollor për herë të parë, nis edhe zbatimi i programit “Pas Shkolle” në 408 institucione arsimore në gjithë vendin i cili synon t’u ofrojë nxënësve të arsimit të mesëm të ulët dhe atij të lartë kohë cilësore, aktivitete krijuese, socializuese dhe t’i mbajë më larg përdorimit të dëmshëm të teknologjisë.

Ndërkohë, në shkolla ka nisur shpërndarja e teksteve shkollore, të cilat do të jenë falas për arsimin e mesëm të ulët, ndërsa për klasat I -V do të jenë çdo vit të reja.

 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër