Vizita e kreut të diplomacisë në Kiev, Mucunski Rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 shtator Zhurnal.mk – Thellimi i dialogut politik, promovimi i bashkëpunimit ekonomik, sfidat e sigurisë dhe integrimi evropian ishin në fokus të takimit mes ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dhe homologut të tij ukrainas, Andrij Sibiha, gjatë vizitës zyrtare të Mucunski-t në Ukrainë. Në një deklaratë për Servisin Publik, Mucunski rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të vendit për Ukrainën, duke theksuar qëndrimin parimor për respektimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe të drejtës ndërkombëtare.

“Ne, brenda kapaciteteve tona, jemi të gatshëm të vazhdojmë me forma të tilla të mbështetjes parimore. Por gjithashtu, patëm mundësinë që me ministrin e Punëve të Jashtme dhe me zëvendëskryetarin e parë të Radës Supreme të Ukrainës të bisedojmë për shumë çështje thelbësore — ndër të tjera për bashkëpunimin ekonomik, konceptin për lidhjen potenciale të industrive tona ushtarake, si dhe për integrimet evropiane, që janë një qëllim i përbashkët për ne. Biseduam edhe për rindërtimin e mundshëm të Ukrainës, pasi dëshirojmë që sa më shpejt të përfundojnë veprimet ushtarake. Këtu konsideroj se ka potencial të madh për bashkëpunim bilateral dhe se do të ketë mundësi të mëdha edhe për kompanitë maqedonase, të cilat ne, si shtet, do të mund t’i përfshijmë në këtë proces.”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

Popujt e të dyja vendeve, theksoi Mucunski, ndajnë lidhje të shumta kulturore e shpirtërore, si dhe një synim të përbashkët: anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Kemi pikëpamje të përbashkëta për të ardhmen e vendeve tona në kuadër të kontinentit evropian, për qëndrimet ndaj demokracisë, si dhe për veprimin e përbashkët në organizatat ndërkombëtare. Ne jemi anëtare e NATO-s, ndërsa Ukraina dëshiron të bëhet anëtare e NATO-s. Të dyja jemi vende kandidate për anëtarësim në BE. Pa asnjë dyshim, jemi shumë më të bashkuara dhe kemi qëllime të përbashkëta, ndaj në këtë drejtim duhet të vazhdojmë.”, u shpreh Mucunski.

Gjatë qëndrimit në Kiev, Mucunski zhvilloi një takim edhe me zëvendëskryetarin e parë të Radës Supreme të Ukrainës, Oleksandr Kornienko, me të cilin diskutoi për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar e shtetëror. Paraprakisht, ministrat Mucunski dhe Sibiha vendosën lule pranë “Murit të Kujtimit”, në nderim të mbrojtësve të rënë të Ukrainës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër