Ethet e Nilit Perendimorm dy raste të reja, 56 të infektuar

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 shtator Zhurnal.mk – Dy të infektuar të ri me virusin e Etheve të Nilit Perendimor në vend. Siç njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik nga analizat e 4 rasteve të dyshuara për ethet e Nilit Perëndimor, dy kanë rezultuar pozitive, informojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.

LSDM: Qeveria reagon me vonesë

Opozita ndërkohë, akuzon pushtetin për menaxhim të dobët dhe të vonuar kundër Etheve të Nilit Perëndimor. Sipas LSDM-së, Maqedonia e Veriut është vendi i parë në Evropë me numër të të infektuarve për kokë banori.

“Qeveria e Mickoskit nuk ka kapacitet për të parandaluar dhe mbrojtur shëndetin e qytetarëve, por reagon vetëm pasi kriza të përshkallëzohet. As kundër mushkonjave nuk spërkasin me kohë, dhe me këtë, Orce Gjorgjievski u vonua. Sistemi për parandalimin, mbrojtjen dhe kontrollin e sëmundjeve të transmetueshme përmes vektorëve nuk funksionon. Nuk funksionojnë kryetarët e komunave të VMRO-së. Nuk funksionojnë institucionet shëndetësore. Shteti nuk e menaxhon epideminë – por vetëm reagon ndaj pasojave të saj.”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Mickoski: Komunat i kryen masat kundër mushkonjave

Kryeministri Mickoski nga ana tjetër tha se gjendje e tillë me virusin ka eskaluar gjithkah nëpër Evropë. Ai tha se të gjitha komunat kanë kryer masat e nevojshme me spërkatjet kundër mushkonjave.

“Ne i kontrolluam dhe në bazë të informacioneve që unë disponoj, të gjitha komunat, në kuadër të protokollit të tyre, e kanë kryer atë aktivitet, ashtu që unë nuk do të mund të thoja se dikush nuk ka bërë punën e tij, por fakt është që ky vit është me nivel më të lartë të të infektuarve me këtë virus, jo vetëm te ne por te të gjitha vendet mesdhetare.”, u shpreh kryeministri Hristijan Micksoki.

Përndryshe, deri tani në vend janë konfirmuar 56 persona të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor. Prej tyre, 8 janë të hospitalizuar, 40 janë shëruar, ndërsa 7 persona kanë ndërruar jetë. Të gjithë të vdekurit janë meshkuj, të moshës nga 62 deri në 83 vjeç, ndërsa te pesë prej tyre janë regjistruar edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Numri më i madh i rasteve është raportuar në Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom dhe Butel.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër