Shkup, 18 maj Zhurnal.mk – VLEN ka reaguar pas protestës së sotme të studentëve lidhur me mungesën e gjuhës shqipe në provimet profesionale, duke deklaruar se kjo çështje do të marrë zgjidhje shumë shpejt.
Në një kumtesë për media, koalicioni theksoi se protesta kishte të bënte me një padrejtësi të trashëguar prej vitesh, ndërsa akuzoi Bashkimi Demokratik për Integrim për, siç thuhet në reagim, “20 vite manipulim me gjuhën shqipe”.
“Studentët protestuan kundër një padrejtësie nga koha e BDI-së. Të gjithë shqiptarët e dinë se provimi i jurisprudencës asnjëherë nuk është zhvilluar në gjuhën shqipe”, thuhet në deklaratën e VLEN-it.
Nga ky koalicion protesta u cilësua si një e drejtë demokratike e studentëve, por njëkohësisht u akuzuan kundërshtarët politikë për përpjekje të manipulimit të situatës për interesa partiake. Në reagim përmenden edhe emrat e ish-zyrtarëve Musa Xhaferi dhe Blerim Bexheti, për të cilët thuhet se nuk e kanë zgjidhur këtë problem gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet.
VLEN gjithashtu bëri të ditur se është zhvilluar një takim mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe përfaqësuesve të koalicionit, ku është diskutuar për mënyrën e zgjidhjes së çështjes.
“Provimet shumë shpejt do të jenë edhe në gjuhën shqipe”, thuhet më tej në kumtesë.
Në fund, VLEN u bëri thirrje studentëve që të mos bien pre e manipulimeve politike dhe të kenë besim se institucionet janë duke trajtuar problemin. Në reagim u përmend edhe ish-lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili u akuzua për përdorim politik të situatës.
