VLEN: Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e BDI-së

Nga R.ZH
614 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, Zhurnal.mk – Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), por arritje historike e shqiptarëve, ka deklaruar Driton Sulejmani nga VLEN në një konferencë për media, në prag të 25-vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, përcjell Zhurnal.mk.

Sulejmani tha se Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar 25 vjet më parë, ndryshoi arkitekturën politike dhe juridike të shtetit, por sipas tij, zbatimi i saj në praktikë është devijuar dhe relativizuar.

Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e BDI-së. Nuk është pronë e Ali Ahmetit e as trashëgimi familjare e klikës së tij. Ajo është arritje historike e shqiptarëve”, deklaroi Sulejmani.

Ai akuzoi BDI-në se për më shumë se dy dekada në pushtet e ka shndërruar Marrëveshjen e Ohrit në kapital politik, ndërsa, sipas tij, nuk ka arritur të garantojë me ligj përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe të përfundojë procesin e decentralizimit.

“BDI-ja për më shumë se dy dekada kishte pushtet deri në fyt. Kishte ministra, zëvendësministra, deputetë, drejtorë dhe funksionarë në çdo cep të shtetit. Po të donin, sot përfaqësimi i drejtë dhe adekuat do të ishte i garantuar me ligj. Decentralizimi do të ishte çështje e kryer. Por nuk e bënë as njërën, as tjetrën”, tha Sulejmani.

Sipas tij, të drejtat e shqiptarëve nuk mund të lidhen me fatin politik të një partie.

Të drejtat e shqiptarëve nuk shkojnë në opozitë bashkë me BDI-në. As Marrëveshjen e Ohrit nuk mund ta marrë Ali Ahmeti me vete në opozitë”, theksoi përfaqësuesi i VLEN-it.

Sulejmani tha se për VLEN-in Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm një dokument që përkujtohet në përvjetorë, por një obligim për ndërmarrjen e hapave konkretë.

Në këtë drejtim, ai veçoi nevojën për miratimin e një ligji që do të garantonte përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, duke e cilësuar këtë si zbatim dhe avancim të Marrëveshjes së Ohrit.

Sipas tij, pjesë e këtij procesi është edhe decentralizimi i mirëfilltë, me më shumë kompetenca dhe mjete financiare për komunat. Sulejmani tha se VLEN po punon në këtë drejtim përmes realizimit të më shumë se 1.200 projekteve.

“Njëzet e pesë vjet më vonë, është koha t’ia rikthejmë dinjitetin Marrëveshjes së Ohrit. Jo vetëm si dokument juridik dhe marrëveshje që i dha fund konfliktit, por si arritje historike e shqiptarëve, e mishëruar në rendin kushtetues dhe si zotim i përhershëm për barazi”, përfundoi Sulejmani.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër