Shkup, 21 maj, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN ka reaguar me akuza të ashpra ndaj Bashkimi Demokratik për Integrim, duke e cilësuar atë si “parti të milionerëve” dhe duke thënë se nuk ka kredibilitet moral të flasë në emër të shqiptarëve.
Në reagimin e VLEN-it thuhet se BDI-ja për më shumë se dy dekada ka ndërtuar, siç e quajnë ata, “agallëk politik” mbi shpinën e shqiptarëve, duke akuzuar ish-funksionarët e saj për pasurim personal dhe keqpërdorim të pushtetit.
“Për 20 vite jetuan në agallëk politik mbi shpinën e shqiptarëve. U pasuruan, ndërtuan perandori biznesi dhe kumari, ndërsa shqiptarëve u lanë mashtrime, propagandë dhe patriotizëm të rrejshëm”, thuhet në reagim.
Nga VLEN akuzojnë edhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, për përçarje politike mes shqiptarëve dhe për shndërrimin e pushtetit në privilegj partiak dhe familjar.
Sipas reagimit, BDI ka heshtur në raste kur, siç pretendojnë nga VLEN, shqiptarët janë përballur me padrejtësi, ndërsa njëkohësisht kanë bërë pazare politike.
Koalicioni opozitar akuzon BDI-në edhe për instrumentalizim politik të protestave studentore dhe për përpjekje për rehabilitim politik të figurave partiake.
Në reagim përmenden edhe emrat e Musa Xhaferi dhe Blerim Bexheti, për të cilët VLEN pretendon se po përdoren për qëllime politike.
Po ashtu, VLEN deklaron se lideri i tyre Izet Mexhiti është bërë “makthi më i madh politik” për BDI-në, sidomos pas humbjes së kësaj partie në Komunën e Çairit.
“Asnjë person i zgjedhur apo i emëruar nga VLEN nuk mund të vihet nga udhëheqësia aktuale e BDI-së në çfarëdo konteksti korruptiv”, thuhet në reagim.
Në fund, nga VLEN vlerësojnë se qëndrimi i BDI-së në opozitë është në të mirë të shqiptarëve, duke shtuar se “sa më shumë u zgjatet jeta në opozitë, aq më mirë janë shqiptarët”.
