Shkup, 4 tetor, Zhurnal.mk – VLEN sonte do të prezantojë kandidatin e tij për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Jakup Huseini, si dhe planprogramin për zhvillimin e komunës.
Aktiviteti do të mbahet në ora 20:00, në shkollën fillore në Çellopek, ku pritet të prezantohen prioritetet dhe vizioni i kandidatit të VLEN-it për mandatin e ardhshëm.
Nga VLEN thonë se, duke u mbështetur në përvojën e koalicionit në pushtetin qendror dhe në drejtimin e 10 komunave, synojnë që Bërvenica të bëhet komuna e 11-të e drejtuar nga kuadrot e tyre.
Sipas koalicionit, Jakup Huseini paraqitet me një planprogram që përfshin zhvillimin e infrastrukturës, forcimin e ekonomisë lokale, mbështetjen e të rinjve, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e transparencës në qeverisjen lokale.
“Jakup Huseini vjen me një vizion të qartë dhe një planprogram konkret për infrastrukturën, ekonominë lokale, të rinjtë, mjedisin dhe transparencën”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Nga koalicioni theksojnë se konventa e sotme përbën një tjetër hap në fushatën për zgjedhjet lokale dhe synon të paraqesë një model të ri të qeverisjes në Komunën e Bërvenicës.
VLEN thekson se synimi është vendosja e një bashkëpunimi më të drejtpërdrejtë ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror, me qëllim realizimin e projekteve zhvillimore në komunë.
