Shkup, 23 prill, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN vlerëson se reforma në arsimin e lartë është domosdoshmëri dhe se studenti duhet të jetë në qendër të ndryshimeve që po propozohen me Ligjin e ri për arsim të lartë.
Në një paraqitje publike në Shkup, Xhan Dika, student i ciklit të dytë, në emër të VLEN-it tha se arsimi i lartë prej vitesh është përballur me probleme të akumuluara, të cilat, sipas tij, kanë krijuar pasiguri te të rinjtë dhe kanë nxitur mosbesim se studimet ofrojnë gjithmonë perspektivën e duhur.
Sipas tij, ligji i ri duhet parë si një përgjigje ndaj nevojës për reforma dhe si hap për rregullimin e një fushe që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e rinisë.
VLEN theksoi se në thelb të këtij ligji është studenti, duke nënvizuar se për herë të parë parashihet që studentët të jenë pjesë e Këshillit Nacional për Arsimin e Lartë, duke u përfshirë drejtpërdrejt në proceset e vendimmarrjes.
Sipas VLEN-it, kjo paraqet ndryshim të rëndësishëm, pasi studentët nuk do të jenë vetëm përfitues të vendimeve, por edhe pjesëmarrës në krijimin e politikave për arsimin e lartë.
Në deklaratë u theksua gjithashtu se ligji synon rritjen e cilësisë në arsimin universitar, me fokus në standarde më serioze, diploma me vlerë reale dhe përgatitje më të mirë të të rinjve për tregun e punës.
“Sa më shumë cilësi dhe perspektivë të ndërtojmë këtu, aq më shumë arsye do të kenë të rinjtë të qëndrojnë në vend”, u tha në qëndrimin e VLEN-it.
Koalicioni vlerësoi se mbështet këtë zgjidhje ligjore si hap të domosdoshëm drejt një sistemi më cilësor, ku, sipas tyre, rritet roli i studentit dhe forcohet shpresa e të rinjve për të ardhmen.
Në fund, VLEN ritheksoi se arsimi shqip mbetet prioritet kombëtar dhe se reformat në arsim mbeten pjesë e angazhimeve të saj politike.
