Shkup, 23 prill, Zhurnal.mk – Kreu i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar atë si një prej figurave më të mëdha të mendimit dhe letërsisë shqiptare.
Përmes një mesazhi publik ngushëllimi, Mexhiti e përshkroi Qosjen si “kalorës të letërsisë shqipe”, akademik me mendje horizontçelëse dhe rilindasin e fundit mes shqiptarëve.
Sipas tij, Qosja ishte figurë e rëndësishme e shkrimit dhe mendimit kritik, i cili gjatë gjithë jetës mbeti zë i palodhur në kërkim të së vërtetës dhe mbrojtjes së çështjes kombëtare.
“Si pjesë e ‘popullit të ndaluar’ në ish-Jugosllavi, ai u bë udhëheqës shpirtëror drejt lirisë së shqiptarëve në vitet ’90”, theksoi Mexhiti.
Ai vlerësoi se, pavarësisht ndarjes fizike nga jeta, vepra dhe trashëgimia e akademikut Qosja mbeten një thesar kulturor dhe studimor i pakrahasueshëm, që do të shërbejë si udhërrëfyes për brezat e ardhshëm.
“Trashëgimia e Qosjes është e pakapërcyeshme dhe do të mbetet udhërrëfyes ndër breza”, thuhet në reagimin e Mexhitit, i cili shprehu nderime për jetën dhe veprën e akademikut, si dhe ngushëllime për familjen e tij dhe gjithë kombin shqiptar.
Ndarja nga jeta e akademikut Rexhep Qosja ka nxitur reagime të shumta në hapësirën shqiptare, ku ai kujtohet si një nga mendjet më të ndritura të kombit dhe figurë kyçe e kulturës, historisë dhe identitetit shqiptar.
