Tiranë, 16 maj Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, komentoi të shtunën bashkimin e votave me PS-në për projektrezolutën për integrimin në BE, ku theksoi se ky akt dëshmoi që PD mbështet procesin. Por, Berisha theksoi se teza e PD-së vijon se integrimi në BE të bazohet në meritë dhe në performancë.
“Ne nuk votojmë kundër integrimit të Bashkimit, sepse kjo nuk është çështje e luftës ndërpartiake, kjo është çështje e shoqërisë shqiptare, kombit shqiptar, duke, duke insistuar se integrimi duhet të jetë një proces i bazuar në meritë. Lexoni dhe paragrafin e fundit të rezolutës, e cila përfundon se ky proces duhet të jetë i bazuar në meritë. Kjo është e vërteta e saj”, theksoi Berisha.
Ai tha se PD do të kontribuojë, por shtoi se, sipas tij, Shqipëria ka bërë regres në drejtim të integrimit. Kjo është arsyeja, tha Berisha, që Shqipërisë i janë shtuar kushtet nga Brukseli.
“Rezoluta PD-PS shpreh atë që ne si Parti Demokratike kemi deklaruar gjithnjë, siç e dini ju, që ne mbështesim procesin e integrimit, ndonëse theksojmë se përveç kriterit gjeopolitik, Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter. Ne, duke thënë të vërtetën, themi jemi dakord për integrimin, por përveç faktorit gjeopolitik, Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter. Në qoftë se lexon, i dashur mik, rezolutën dhe unë njerëzisht ju kërkoj ta lexoni, nga rreshti i parë tek rreshti i fundit nuk gjeni absolutisht asnjë vlerësim për punën e parlamentit apo të qeverisë. Zero. Nga rreshti i parë tek rreshti i fundit, rënditen kërkesa, detyra për parlamentin dhe qeverinë. Pra, në qoftë se ne insistojmë që për të ecur drejt integrimit duhet të ketë një performancë, duhet të jetë një proces i bazuar në meritë dhe në performancë, unë besoj se kështu ne mbrojmë interesat e qytetarëve”, theksoi Berisha.
