“Xhaka është më i miri që kemi pasur”: Huggel del fuqishëm në mbrojtje të kapitenit

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ish-futbollisti i Kombëtares së Zvicrës, Benjamin Huggel, ka dalë në mbrojtje të Granit Xhakës pas deklaratës së kapitenit se kishte përdorur një certifikatë të falsifikuar vaksinimi kundër COVID-19.

Huggel, i cili sot punon si trajner dhe komentator i Kombëtares së Zvicrës në televizionin publik SRF, ka thënë në një intervistë për gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” se Xhaka, sipas tij, duhet të vazhdojë të jetë kapiten i përfaqësueses, nëse çështja nuk sjell pasoja të tjera juridike apo sportive.

“Nëse nuk ka pasoja të tjera juridiko-sportive dhe çështja trajtohet ligjërisht si e mbyllur në planin penal, unë them krejt qartë: Po”, ka deklaruar Huggel, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Xhaka duhet të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit.

Sipas tij, vendimi për kapitenin nuk duhet të përcaktohet nga opinioni publik.

“Kapiteni caktohet nga skuadra dhe nga trajneri, jo nga opinioni publik. Nëse trajneri kombëtar Murat Yakin dhe këshilli i skuadrës, pas një bisede të sinqertë dhe të hapur, arrijnë në përfundimin se Xhaka duhet të vazhdojë të jetë kapiteni i tyre, unë nuk shoh asgjë që ta pengojë këtë”, është shprehur ish-lojtari zviceran.

Huggel ka theksuar se çështja e certifikatës së vaksinimit, sipas tij, nuk duhet të lidhet me mënyrën se si Xhaka sillet në fushën e futbollit.

“Për mua, si bashkëlojtar, një certifikatë e falsifikuar e Covidit nuk do të ishte në asnjë mënyrë arsye për të mos i besuar më si kapiten në fushë. Falsifikimi i pretenduar i dokumentit nuk ka asnjë lidhje me sjelljen e Xhakës në fushë”, ka thënë ai.

Më tej, Huggel ka vlerësuar kontributin e madh të mesfushorit shqiptar për futbollin zviceran.

“Futbolli zviceran i detyrohet shumë Xhakës. Si kapiten, ai është gjithmonë i pranishëm, merr shumë përgjegjësi mbi vete. Shumë lojtarë të kombëtares vrapojnë në hijen e tij mbrojtëse”, ka deklaruar ai.

Ish-lojtari i Zvicrës ka shtuar se Xhaka nuk ka përfituar në aspektin sportiv nga certifikata dhe se veprimi i tij, sipas tij, nuk ka dëmtuar suksesin e ekipit.

“Xhaka nuk ka siguruar asnjë avantazh sportiv për vete, e as nuk i ka mashtruar bashkëlojtarët. Dhe nuk e ka rrezikuar as suksesin e ekipit”, ka thënë Huggel.

Ai është ndalur edhe te disa episode të tjera të së kaluarës së Xhakës, duke thënë se ato janë ekzagjeruar në publik.

Sipas Huggel, edhe tatuazhi që Xhaka bëri në vitin 2021, gjatë periudhës së kufizimeve për shkak të pandemisë, nuk ishte vendimi më i mirë, por ai nuk duhet të përcaktojë mënyrën se si vlerësohet futbollisti.

Huggel ka folur edhe për festimin me simbolin e shqiponjës nga Xhaka dhe Xherdan Shaqiri në ndeshjen ndaj Serbisë në Kupën e Botës 2018.

Ai ka kujtuar se dy futbollistët ishin provokuar gjatë gjithë ndeshjes nga tifozët serbë dhe se kjo duhet të merret parasysh kur gjykohet ai episod.

Në fund, Huggel ka dhënë një vlerësim shumë të lartë për Xhakën, duke e konsideruar atë si futbollistin më të suksesshëm që ka pasur ndonjëherë Kombëtarja e Zvicrës.

“Nëse dikush ka në ekip vetëm lojtarë që gjithmonë bëjnë çdo gjë si duhet dhe respektojnë të gjitha rregullat, në përgjithësi ata nuk do të kenë sukses në futboll. Shpesh thuhet se duhen lojtarë me temperament”.

“Por kur dikush vërtet e ka këtë temperament, atëherë ndryshon situata. Shumë njerëz në këtë vend e kanë të vështirë të thonë pa asnjë rezervë: ‘Granit Xhaka është lojtari më i suksesshëm i kombëtares, më i miri që kemi pasur ndonjëherë.’ Në vende të tjera, me yjet sillen ndryshe, ata adhurohen pa kushte”, ka përfunduar Huggel.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër