Tiranë, 23 qershor, Zhurnal.mk – Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaroi sot se Tirana është qyteti i dytë më i shtrenjtë në Europë, ku paga mesatare mujore nuk mjafton për të kaluar muajin.
Në një deklaratë për medie, Xhixho u shpreh se “një familje me katër persona, me dy të rritur që paguhen me pagë mesatare, detyrohet të shpenzojë 89% të të ardhurave të saj vetëm për të siguruar një jetesë normale pra ushqim, qira dhe shpenzimet bazike”.
Sipas Xhixhos, kjo do të thotë se familjeve shqiptare u mbetet vetëm 11% e të ardhurave për kursime, investime apo përballimin e emergjencave apo edhe pushimeve.
“Po kaq dramatike është situata e strehimit. Tirana renditet si qyteti i dytë më pak i përballueshëm në Europë sipas raportit qira-pagë. Qiratë konsumojnë më shumë se 93% të pagave lokale. Ky është një tregues i qartë se për të rinjtë, çiftet e reja dhe familjet e zakonshme, strehimi është kthyer në një luks të paarritshëm”, shtoi ajo.
Ndërkohë, sipas Xhixhos qeveria dhe bashkia vazhdojnë të ndërtojnë një qytet për një grusht njerëzish që e kanë shndërruar sektorin e ndërtimit në sektorin kryesor për pastrimin e parave.
Po ashtu, Xhixho theksoi se transporti publik mbetet primitiv dhe nuk mbulon zona të tëra të Tiranës.
“Në një qytet ku ndërtohet pa kriter në çdo metër katror, 84% e banorëve të Tiranës hasin vazhdimisht probleme për të gjetur një vend parkimi. Vetëm në parkimet e Bashkisë së Tiranës, qytetarët paguajnë rreth 7 milionë euro në vit. Në total, në të gjitha parkimet me pagesë që ka kryeqyteti, qytetarët paguajnë rreth 15 milionë euro në vit, pa llogaritur këtu pagesat informale dhe kostot e parkimit nëpër lagje”, theksoi Xhixho.
Këto, sipas saj, janë vetëm disa nga arsyet pse qindra mijëra qytetarë protestojnë sot çdo ditë. “Sepse Tirana është bërë e pajetueshme për shumicën dhe e privilegjuar për pakicën”, u shpreh Xhixho.
