Pekin, 14 maj Zhurnal.mk – Presidenti kinez, Xi Jinping paralajmëroi homologun e tij amerikan, Donald Trump që të mos e trajtojë gabimisht çështjen e Tajvanit duke thënë se kjo mund të çojë në tensione apo edhe konflikt mes dy vendeve, sipas medies shtetërore kineze.
”Nëse çështja e Tajvanit menaxhohet keq, marrëdhëniet SHBA-Kinë mund të futen në një situatë shumë të rrezikshme”, tha Xi gjatë bisedimeve në kryeqytetin kinez, raportoi sot agjencia shtetërore Hsinhua.
Kina e konsideron Tajvanin e vetëqeverisur demokratikisht si pjesë të territorit të saj.
Pekini prej kohësh druhet se ishulli mund të shpallë zyrtarisht pavarësinë, megjithëse qeveria tajvaneze nuk ka ndërmarrë një hap të tillë.
“Pavarësia dhe paqja në Ngushticën e Tajvanit janë të papajtueshme”, tha Xi duke iu referuar rrugës ujore që ndan Kinën dhe Tajvanin.
Xi theksoi gjithashtu se Tajvani është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet mes Pekinit dhe Uashingtonit dhe se trajtimi i duhur i saj mund të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit mes dy fuqive.
SHBA-ja luan një rol kyç në çështjen e Tajvanit, përfshirë përmes shitjeve të armëve ndaj ishullit, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga Pekini.
Nuk ishte menjëherë e qartë se si iu përgjigj Trump deklaratave të Xi.
