Ymeri: Deklarata e Vuçiqit për ndryshimin e lumit Ibër lidhet me kartën nacionaliste të VV-së

Nga D. V.
436 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 11 gusht, Zhurnal.mk – Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Imeri, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

Imeri ka lidhur deklaratën e Vuçiqit me zhvillimet politike në Kosovë, duke argumentuar se çështja e burimeve ujore dhe e sigurisë energjetike duhet të trajtohet në institucionet e Kosovës dhe jo përmes, siç e ka cilësuar ajo, “ngjalljes së panikut”.

“Deklarata e Vuçiqit për ndryshimin e lumit Ibër lidhet me kartën nacionaliste të VV-së, sepse lumi Ibër e mbush liqenin e Ujmanit, lidhet me kanalin Ibër-Lepenc deri në Obiliq, ndërsa lumi vazhdon në Serbi”, ka shkruar Imeri.

Ajo ka pretenduar se ndryshimi i rrjedhës së Ibrit do të paraqiste rrezik për sigurinë energjetike të Kosovës.

“Ndryshimi i rrjedhës jo veç që nuk lejohet me të drejtë ndërkombëtare, por edhe rrezikon sigurinë energjetike 100 për qind, për çfarë Serbia penalizohet”, ka deklaruar Imeri.

Deputetja e LDK-së ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas saj, Qeveria e Kosovës ka trajtuar çështjen e Ujmanit dhe deklaratat e presidentit serb.

“Tash nuk ka nevojë as Albin Kurti, as ministri Sveçla të defilojnë në Ujman kinse e mbrojnë Kosovën. Kallxon rryma, guri e gruri sa e mbrojnë”, ka shkruar ajo.

Imeri ka thënë se për këtë çështje duhet të flitet në Kuvendin e Kosovës, duke e lidhur reagimin e saj edhe me situatën politike dhe procesin e konstituimit të institucioneve.

“Çështja është Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe nuk kryen punë as Vuçiqi në ngjallje paniku për me i dhanë shkak për trazira VV-së”, ka deklaruar ajo.

Në fund, Imeri ka ngritur edhe një pyetje lidhur me pjesëmarrjen e kryeministrit në seancën e Kuvendit.

“A del në Kuvend me u anku kryeministri në mashtrim e sipër, duke e ditur që mund të mos e përfundojë seancën vetëm si viktimë e gjuajtjes së vezëve?”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër