Zajkova: 35 vjet pavarësi mjaft ishte kërkimi i fajtorëve, koha është për përgjegjësi

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 shator, Zhurnal.mk – Më 8 shtator para 35 vitesh zgjodhëm vetë të jemi zotër të fatit tonë. Sot, tre dekada e gjysmë më vonë, është koha që të paktën në Ditën e Pavarësisë të ndalojmë së mashtruari veten se për gjithçka që nuk funksionon gjithmonë është fajtor dikush tjetër, thotë Monika Zajkova, kryetare e LDP.

“Kam 35 vjet. Jam lindur në një Maqedoni të pavarur. Nuk mbaj mend sistem tjetër shtetëror, por mbaj mend një shtet që gjithë jetën time është në një ‘reformë’ që kurrë nuk përfundon.

Në politikë hyra sepse besoja, dhe ende besoj, se gjërat mund të ndryshohen.

Prej shumë kohësh e shohim skenarin: njërët vijnë sepse të tjerët kanë qenë të këqij, e kur ulen në kolltuqet e tyre, nuk i heqin praktikat e këqija – i përsosin.

Ajo që dje ishte ‘partizim’, sot bëhet ‘politikë kadrovike’. Ajo që dje ishte ‘ligj i keq’, sot bëhet ‘reformë’. Ajo që dje ishte ‘administratë e tepërt’, sot merr edhe ministra, zëvendës, drejtorë, zëvendësdrejtorë, borde drejtues e mbikëqyrës dhe funksione të reja.

Ndryshohen partitë në pushtet, por sistemi mbetet. Vetëm se sot bëhet më i shtrenjtë, më i rëndë dhe më i papërgjegjshëm.

Dhe këtu duhet të ndalojë rrëfimi se ‘të gjithë janë të njëjtë’.

LDP ka qenë pjesë e sistemit politik dhe nuk ikën nga përgjegjësia e vet. Por ndër vite kemi treguar se ka mundur dhe mund të bëhet ndryshe.

Qysh në vitet e tranzicionit, Petar Goshev paralajmëronte për pasojat e modelit të privatizimit dhe angazhohej për një koncept tjetër e më të drejtë, në vend të një procesi që krijoi padrejtësi të thella ekonomike e sociale, pasojat e të cilave i ndiejmë edhe sot.

Kur Risto Penov e drejtonte Shkupin, kryeqyteti ndërtohej dhe modernizohej.

Kur Jovan Manasievski e drejtonte mbrojtjen, zbatoheshin reforma serioze, transformim dhe profesionalizim i Ushtrisë dhe ndërtoheshin kapacitetet për të ardhmen euroatlantike të shtetit.

Si gjenerata të reja të LDP-së vazhduam me të njëjtën ide – jo vetëm të kritikojmë, por të ofrojmë zgjidhje.

E inicijuam dhe e shndërruam në ligj ushqimin e subvencionuar studentor, masë që sot e përdorin mijëra studentë.

Propozojmë heqjen e një pjese të madhe të provizioneve bankare dhe frenimin e bankave – sepse mendojmë se qytetarët nuk duhet të paguajnë gjithnjë e më shtrenjtë për të pasur qasje në paratë e veta.

Propozojmë shkurtimin e numrit të ministrive, të grumbullit të drejtorëve, zëvendësdrejtorëve, bordeve drejtues e mbikëqyrës, funksioneve e institucioneve të panevojshme dhe një aparat shtetëror të vogël, profesional e efikas, në vend të një shteti që vazhdimisht krijon kolltuqe të reja.

Propozuam edhe një Kod Penal ndryshe – sistem në të cilin koha nuk do të jetë aleat i funksionarëve që kanë keqpërdorur pushtetin dhe ku parashkrimi nuk do të jetë avokati më i mirë i politikanëve. Jo gjithmonë kemi arritur që propozimet tona të bëhen realitet. Shpesh janë kopjuar nga më të mëdhenjtë pa kapacitet për t’i zbatuar si duhet, por gjithnjë e më shpesh janë mbytur pa debat e argumente.

Por kjo është dallimi thelbësor: a hyn në politikë për ta mbrojtur sistemin sepse për momentin të përshtatet, apo për të provuar ta ndryshosh.

Prandaj sot refuzoj të pranoj se zgjedhja e vetme e Maqedonisë është ndryshimi i pafund i dy partive dominuese, ndërsa çdo pushtet i ardhshëm i merr, e i sotmi i përsos gabimet e të mëparshmit.

Veçanërisht është dëshpëruese që sot dëshmojmë hipokrizinë e pushtetit. Pushtet që praktikon pikërisht atë që deri dje e kritikonte më zëshëm.

Nuk e morët pushtetin për të na shpjeguar çfarë kanë bërë të mëparshmit. E morët sepse premtuat që ju nuk do ta bënit të njëjtën gjë.

Nëse ligjet sërish krohen sipas nevojave kadrovike, nëse për të qenë drejtor nuk duhet të plotësosh kriter por të ndryshojnë ligjin sipas masës tënde, nëse institucionet sërish mbushen sipas nevojave partiake, nëse funksionet sërish shumëzohen, e për gabimet e keqpërdorimet sërish askush nuk përgjigjet, madje shpërblehet me funksion të ri – atëherë kjo nuk është ndryshim.

Kjo është vetëm një ndryshim më i keq i përdoruesve të të njëjtit sistem.

35 vjet më vonë, ende e ‘reformojmë’ gjyqësorin, e ‘de‑partizojmë’ administratën, e ‘ndërtojmë’ shtetin juridik dhe presim shëndetësi, arsim e infrastrukturë funksionale.

Nëse pas 35 vitesh ende jemi në fazën e themeleve, atëherë dikush seriozisht ka vjedhur nga çimentoja. Dhe më në fund duhet të ketë emër, mbiemër dhe përgjegjësi.

Mjaft me ‘ata para nesh’.

Mjaft me reforma që kurrë nuk përfundojnë. Me ligje që vlejnë për qytetarët, e shtrihen për funksionarët. Me përgjegjësi politike që mbaron me konferencë për shtyp dhe përgjegjësi institucionale që mbaron me parashkrim.

35 vjet janë të mjaftueshme për alibi.

Maqedonisë nuk i duhet vetëm ndërrim i rojeve të të njëjtit sistem.

Maqedonisë i duhet ndryshim i sistemit.

Përgjegjësi me emër e mbiemër. Institucione që nuk do të ndryshojnë ngjyrë partiake pas çdo zgjedhjeje. Administratë profesionale. Aparat shtetëror më i vogël e më efikas. Ligje që vlejnë njësoj për të gjithë. Dhe funksionarë që e dinë se funksioni nuk është pronë, por përgjegjësi e përkohshme para qytetarëve.

Kjo për mua është kuptimi i pavarësisë.

Jo vetëm të vendosim vetë, por më në fund të mësojmë me përgjegjësi të menaxhojmë me atë që vetë e kemi zgjedhur.

Prandaj në 35‑vjetorin e pavarësisë mesazhi im nuk është vetëm urim. Ai është edhe thirrje:

Shteti para partisë.

Institucionet para funksioneve.

Përgjegjësia para justifikimeve.

Qytetarët para populizmit dhe PR‑it për rejtingje.

Sepse, nëse edhe 35 vjet të tjera vazhdon ndërrimi vetëm në kolltuqe, të rinjtë nuk do të presin ta ndryshojmë shtetin – pavarësisht nesh do ta kërkojnë të ardhmen në shtete të tjera.

Maqedonia nuk është pronë partiake e askujt. Ajo është shtëpia jonë e përbashkët. Dhe atdhe rezervë nuk kemi.

Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, thotë Zajkova.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër