Tiranë, 19 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama pritet paraditen e së shtunës të drejtojë mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku do të marrin pjesë edhe ministrat.
Si pikë e parë në agjendë është informimi mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare, Shqipëri-BE dhe ecurinë e negociatave të anëtarësimit.
Në dokumentin e agjendës, si pikë e dytë renditet informimi mbi Paketën e Ligjeve që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Pika e tretë e agjendës, e cila mund të konsiderohet si më e rëndësishmja, ka të bëjë me informimin mbi procedurat e ndjekura deri më tani për investimin në Zvërnec dhe interesin e shprehur për zhvillimin turistik në ishullin e Sazanit.
Sakaq, Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Administrative, parashikohet në agjendë të informojë kolegët e Grupit socialist mbi ecurinë e deritanishme të reformës territoriale.
Kryetari i Grupit, Taulant Balla, parashikohet të bëjë një informim të zgjeruar mbi detyrat e lëna nga mbledhja e shkuar e të njëjtit format, përfshirë performancën e anëtarëve të Grupit parlamentar.
Si pikë e fundit e kësaj mbledhjeje parashikohet një fjalë e kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe kryetarit të Grupit Parlamentar, Taulant Balla.
Vlen për t’u parë nëse në fjalën e tij, Edi Rama do të ndalet edhe në zhvillimet më të fundit që lidhen me deputeten Martjana Koçeku, apo do të ketë ndonjë koment mbi deklarimet e Elisa Spiropalit për protestën, të shprehura përmes një statusi të gjatë në Facebook 10 ditë më parë./Top Channel
