Madrid, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky zhvilloi sot një vizitë të papritur në Madrid, ku u prit nga kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, dhe mbreti Felipe VI.
Zelensky zhvilloi gjithashtu takime me udhëheqës të vendeve të Amerikës Latine, në kuadër të Samitit të 30-të Ibero-Amerikan që po mbahet në Madrid. Ai kërkoi mbështetjen e tyre për Ukrainën në mbrojtjen kundër pushtimit rus.
Presidenti ukrainas u bëri thirrje udhëheqësve të Amerikës Latine, që të flasin publikisht në vendet e tyre për pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia.
“Sigurohuni që bota të mësojë për këto krime”, tha ai sipas televizionit publik spanjoll RTVE.
Megjithëse shumë vende të Amerikës Latine, e kanë dënuar pushtimin rus. Deri tani një ndihmë relativisht të kufizuar për Ukrainën.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, theksoi se mbështetja për Ukrainën nuk duhet të vijë vetëm nga vendet evropiane.
“Bota duhet ta mbështesë Ukrainën në luftën e saj për liri dhe në mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare, sepse në të kundërt do të legjitimonim ligjin e më të fortit”, paralajmëroi ai.
Gjatë vizitës në Madrid, Zelensky u takua gjithashtu me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe zëvendëspresidenten ekzekutive të Komisionit Evropian, Teresa Ribera.
Në takimet me pjesëmarrësit e samitit, presidenti ukrainas paraqiti nevojat urgjente të vendit, për furnizimin me pajisje që do të ndihmojnë në mbajtjen në funksion të rrjetit energjetik.
Ai përmendi nevojën për transformatorë nga Brazili, Meksika, Argjentina dhe Kolumbia, kabllo elektrike nga Kili dhe gjeneratorë nga Spanja.
Forcat ruse po godasin vazhdimisht rrjetin elektrik të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë dhe duke penguar furnizimin me ngrohje për miliona banorë.
Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike po e vështirësojnë edhe më tej situatën në vend, veçanërisht gjatë muajve të ftohtë.
