Mucunski: Po punojmë për dialog me Bullgarinë, me mbështetjen e BE-së dhe vendeve anëtare

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, deklaroi se dialogu që aktualisht zhvillohet mes Shkupit dhe Sofjes për çështjet e hapura ka mbështetjen e institucioneve evropiane dhe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa pozicionet e Maqedonisë së Veriut mbeten të qarta dhe parimore.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe kryesuesin e OSBE-së, Ignazio Cassis, lidhur me deklaratën e eurokomisares për zgjerim Marta Kos se po punohet në dialogun ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Mucunski theksoi se procesi po zhvillohet me mbështetje të gjerë evropiane.

“Lidhur me çështjen me Bullgarinë, mendoj se kemi qenë shumë të qartë duke thënë se aktualisht po punojmë për dialog, për të cilin, siç dëgjuat edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, kemi mbështetje si nga institucionet evropiane, ashtu edhe nga vendet anëtare”, deklaroi Mucunski.

Ai përsëriti se qëndrimet e palës maqedonase janë të qarta dhe të bazuara në parime, duke shtuar se të gjitha bisedimet aktuale, por edhe ato të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit, mbështeten në pozicione që u janë prezantuar qartë partnerëve evropianë.

“Pozicionet tona janë të qarta dhe parimore. Të gjitha bisedimet që zhvillojmë aktualisht, si dhe ato që kemi zhvilluar në një ose dy vitet e fundit, bazohen në qëndrime që ua kemi prezantuar shumë qartë partnerëve tanë evropianë”, tha Mucunski.

Deklarata e tij vjen pasi eurokomisarja për zgjerim, Marta Kos, në konferencën për media të mbajtur më 4 nëntor në Bruksel pas prezantimit të Paketës së Zgjerimit, deklaroi se Komisioni Evropian po angazhohet aktivisht për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.

“Ne po bëjmë mjaft për marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por nuk i tregojmë të gjitha”, kishte deklaruar Kos.

Duke u përgjigjur në pyetjen se pse ky angazhim nuk është më i dukshëm për publikun, ajo sqaroi se ekzistojnë aktivitete që Komisioni Evropian i ndërmerr për afrimin e qëndrimeve të dy vendeve, por që nuk publikohen në opinion.

artikuj të ndërlidhura