Shkup, 18 maj Zhurnal.mk – Pas përfundimit të protestës së sotme për kërkesën që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe, policia ka arrestuar tre persona, dy shqiptarë dhe një maqedonas, pas një përleshjeje që ka ndodhur mes tyre.
Sipas informacioneve fillestare, ngjarja nuk ka qenë e lidhur me organizimin apo rrjedhën e protestës, e cila përfundoi qetë dhe pa asnjë incident. Burime nga terreni bëjnë të ditur se personat e arrestuar janë përfshirë në një konflikt verbal që më pas ka eskaluar në përleshje fizike, ndërsa policia ka intervenuar menjëherë për të qetësuar situatën dhe për të shmangur tensione të mëtejshme.
Protesta e organizuar nga studentë dhe aktivistë shqiptarë u zhvillua në atmosferë paqësore, me kërkesën kryesore që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Pjesëmarrësit marshuan pa incidente dhe nën prani të shtuar policore, ndërsa organizatorët vazhdimisht apeluan për qetësi dhe shmangie të çdo provokimi.
Megjithatë, pas shpërndarjes së protestuesve, ndodhi incidenti i veçuar mes tre personave, i cili sipas informacioneve nuk ka pasur asnjë lidhje me protestën apo me kërkesat e saj.
Ndërkohë, organizatorët e protestës kanë theksuar se tubimi qytetar ka kaluar në mënyrë demokratike dhe dinjitoze, duke insistuar se mesazhi i protestës ishte kërkesa për barazi dhe respektim të të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në vend.
