Shkup, 18 maj Zhurnal.mk – Protesta e sotme e organizuar në Shkup për kërkesën që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe u shoqërua me mesazhe të forta nga organizatorët dhe pjesëmarrësit, të cilët kërkuan barazi, respektim të të drejtave gjuhësore dhe zbatim real të gjuhës shqipe në institucionet e Maqedonia e Veriut.
Edhe pse protesta kishte në fokus provimin e jurisprudencës, organizatorët theksuan se revolta qytetare është shumë më e gjerë dhe lidhet me moszbatimin e gjuhës shqipe në shumë institucione shtetërore.
“Nuk kemi dalë sot vetëm për provimin e jurisprudencës. Kemi dalë për zbatimin e gjuhës shqipe në institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ishte mesazhi kryesor që dominoi protestën e mbajtur në kryeqytet.
Njëri nga organizatorët e protestës, Mevlan Ademi, deklaroi para protestuesve se tubimi ishte paqësor, por sipas tij gjatë marshimit pati provokime dhe informacione për arrestimin e tre studentëve.
“Jemi në protestë paqësore. Kemi dalë të protestojmë në mënyrë paqësore, por po provokohemi gjatë rrugës. Të dashur prindër dhe studentë. Sapo mora lajmin se tre studentë janë arrestuar. Sot nuk kam ardhur të flas me ata. Sot kam ardhur të flas me ju”, deklaroi Ademi.
Ai më pas ngriti çështjen e barazisë dhe të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në vend, duke pyetur se deri kur shqiptarët do të duhet të presin për trajtim të barabartë në institucionet shtetërore.
“Sa kohë duhet të presim që, në qytetin e tij, një shqiptar të flasë shqip? Sa kohë duhet të presim që të jemi qytetarë të barabartë në këtë vend? Ne këtu jemi autoktonë”, u shpreh ai.
Ademi theksoi se protesta nuk kishte karakter politik apo provokues, por ishte një reagim qytetar për të drejtat gjuhësore dhe për barazi në arsim dhe institucione.
Mesazhe të forta pati edhe nga Selimi, i cili para qytetarëve deklaroi se shqiptarët nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe se brezat e rinj janë të gatshëm të vazhdojnë përpjekjen për të drejtat kombëtare dhe qytetare.
“Sot nuk jemi mbledhur këtu për t’u ankuar. Jemi këtu për të kujtuar se të drejtat që fitohen me mund nuk falen e as nuk harrohen. Sot jemi para jush me një mesazh të qartë. Jemi rikthyer këtu për t’ju thënë: gati jemi për të drejtat tona. Gjeneratat ndryshojnë, por idealet jo. Nëse duhet t’ju dëshmojmë se vullneti ynë është i palëkundshëm, ne nuk lodhemi. Sot u dridh i gjithë Shkupi. Heshtja nuk është më opsion”, deklaroi ai.
Protesta përfundoi pa incidente serioze dhe nën masa të shtuara sigurie, ndërsa pjesëmarrësit paralajmëruan se do të vazhdojnë të kërkojnë institucionalizimin dhe zbatimin e plotë të gjuhës shqipe në të gjitha proceset arsimore dhe profesionale ku, sipas tyre, shqiptarët ende përballen me pengesa dhe pabarazi.
