Zgjerohet shërbimi i imazherisë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”

Nga D V
694 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 14 gusht, Zhurnal.mk – Shërbimi i Imazherisë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” Tiranë ofron një gamë të gjerë ekzaminimesh diagnostikuese, duke kombinuar teknologjinë bashkëkohore me profesionalizmin e stafit për një diagnostikim sa më të saktë dhe kujdes më të mirë për pacientët.

Në një postim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, shefja e shërbimit të Imazherisë, Ermira Hysa, bëri të ditur se në këtë shërbim realizohen radiologjia konvencionale përmes aparatit të radiografisë digjitale, të gjitha llojet e ekzaminimeve ekografike, si dhe ekzaminimet skanerike.

“Ne disponojmë dy aparatura të skanerit, të cilat mundësojnë realizimin e këtyre ekzaminimeve”, u shpreh Hysa.

Një pjesë e rëndësishme e shërbimeve të specializuara është edhe mjekësia nukleare, përmes aparatit të gama-kamerës, që mundëson kryerjen e ekzaminimeve shintigrafike.

Sipas Hysës, në shërbim realizohen shintigrafia e tiroides, shintigrafia pulmonare, shintigrafia renale dhe shintigrafia e skeletit.

Ndërkohë, kapacitetet diagnostikuese të Shërbimit të Imazherisë pritet të zgjerohen së shpejti edhe me rezonancën magnetike.

Shintigrafia është një ekzaminim diagnostik që mundëson vlerësimin funksional të organeve dhe indeve, duke ofruar informacion të rëndësishëm për diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen e pacientëve.

“Së shpejti, shërbimi ynë do të pajiset edhe me rezonancë magnetike, duke zgjeruar kështu mundësitë tona për një diagnostikim më të plotë dhe më të saktë”, tha Hysa.

Zgjerimi i teknologjisë diagnostikuese në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” synon të rrisë mundësitë për diagnostikim të avancuar dhe të sigurojë një vlerësim sa më të plotë të gjendjes shëndetësore të pacientëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër